Lajme
Policia nuk i komenton dorëheqjet e policëve serbë
Demokracia
12:50 | 21 Gusht 2023

Share:

Të enjten shefi i EULEX’it Giovanni Pietro Barbano dhe ambasadori i amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier dhanë lajmin se tre policë të saporekrutuar serbë kanë dhënë dorëheqje. Një numër më të lartë e dha një ditë më vonë presidentja Osmani. Ajo tha se 7 zyrtarë policorë serbë kanë dhënë dorëheqje. Këtë çështje nga Policia kanë thënë se nuk e komentojnë.

Më 25 korrik në Veri nisën punën 74 policë të rinj të komuniteteve joshumicë. Prej tyre, 45 ishin të komunitetit serb. Policët e rinj u patën shpërndarë në katër komunat e veriut- Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Mirëpo menjëherë pas nisjes së punës, pjesëtarët serbë u ballafaquan me linçime, ndërsa ditëve të fundit disa prej tyre kanë dhënë dorëheqje.

Sipas Osmanit, deri tash 7 është numri i policvë që kanë dhënë dorëheqje. Të premten e javës së kaluar ajo tha se frikësimi dhe shantazhimi i këtyre policëve po vjen nga Serbia, derisa ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të marrë ndaj Serbisë dhe Vuçiqit për presionin ndaj policëve serbë.

“Sipas hetimeve të institucioneve tona përgjatë këtyre javëve, janë informata të konfirmuara, frikësimi dhe shantazhimi i tyre vjen nga Serbia, pra burimin e kanë në Serbi, ky shtet që fatkeqësisht vazhdon me agresion të hapur në raport me Kosovën, po vazhdon nëpërmjet institucioneve ilegale dhe kriminale në Kosovë tu bëjë presion qytetarëve serbë që janë pro-integrimit, shfrytëzimit të të drejtave që u ofron dhe Kushtetuta dhe Marrëveshjet e Brukselit”, ka thënë Osmani.

Mirëpo për dorëheqjet e kolegëve të tyre, Policia ka vendosur të mos flasë.

Zëvendëskomandanti i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, i tha Gazetës Express se nuk i komentojnë dorëheqjet e kolegëve të tyre.

“Ne nuk i komentojmë dorëheqjet e kolegëve tanë”, tha ai.

Të shqetësuar për dorëheqjet e serbëve janë deklaruar të enjten shefi i EULEX’i Giovanni Pietro Barabano dhe ambasadori i SHBA’së në Kosovë Jeffrey Hovenier.

Barbano tha se është i shqetësuar me dorëheqjen e tre policëve serbë nga Policia e Kosovës. Ai shkroi se këto zhvillime shqetësuese po i ndjekin nga afër dhe tha se përbërja e policisë duhet të jetë përfaqësuese e komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

“Po i shoh me shqetësim dorëheqjet e fundit të tre serbëve të Kosovës të saporekrutuar, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. EULEX po i ndjek nga afër këto zhvillime shqetësuese. Përbërja e policisë duhet të pasqyrojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe mbrojnë”, tha ai.

Barbano shtoi se anëtarët joshumicë të Policisë së Kosovës mund të kontribuojnë në sigurinë e komuniteteve të tyre përmes punës të orientuar nga komuniteti.

“Misioni është i përkushtuar të mbështesë përpjekjet e PK-së që synojnë zhvillimin e policimit efektiv, efikas, përfaqësues dhe të përgjegjshëm në fushëveprim më të gjerë”, ka shkruar ai.

Ndërsa, ambasadori Hovenier tha se Policia e Kosovës ekziston për t’iu shërbyer të gjitha komuniteteve.

“Siç kam thënë shumë herë, Policia e Kosovës ekziston për t’iu shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovës dhe policët e saj duhet të jenë në gjendje të punojnë të lirë nga intimidimi”, ka shkruar ambasadori Hovenier.

Ai ka thënë se janë duke e përcjellë këtë situatë nga afër.

Më 6 nëntor të vitit të kaluar afër 600 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kishin dhënë dorëheqje për shkak të pakënaqësisë për vendimin e Qeverisë Kurti për targat. Qysh prej atëherë, Policia ka hapur disa konkurse për policë, mirëpo interesimi ka qenë i ulët. Kthimi i serbëve në institucione më shumë se një herë është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Të ngjashme