Lajme
“Policia nuk e ka Qeverinë” | Kurti si deputetët e VV-së, fshihet pas procedurave: Duhet të ketë kategorizime e klasifikime
Demokracia
12:59 | 20 Tetor 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti i iku debatit në Kuvend për plotësimin dhe përmirësimin e kushteve të punës së Policisë së Kosovës. Por, ai sot nga “Shtimja e çliruar” tha se kërkesat e Policisë janë prioritet i qeverisjes së tij.

Edhe sot Kurti u fsheh pas procedurave, shkruan Demokracia.com.

Sipas tij, duhet të ketë kategorizime e klasifikime në mënyrë që mos të krijohet pabarazi për këtë kategori.

Për të adresuar të gjitha kërkesat, ai pohoi se u duhet edhe më shumë kohë, për siç tha të mos bëjnë gabime e të minimizohen defektet.

Madje nga Shtimja ku mori pjesë në vënien e gurthemelit të një çerdheje, ai lavdëroi punën e Policisë së Kosovës.

“Kjo është një çështje që ne e kemi konsideruar me prioritet. Duhet të kemi klasifikim që mos të krijojmë pabarazi. Na duhet edhe pak kohë që të mos bëjmë gabime që të shkaktojmë zhgënjime e pengesa”.

“Edhe Ligji i Pagave na pati marrë kohë, por koha shtesë ia ka vlejtur ngase i kemi minimizuar defektet”.

“Ju sigurojmë që po bëjmë krejt çka mundem, e dime. Policia është në nivel të detyrës dhe padyshim që e ka mbështetjen e Qeverisë së Kosovës. Na jepni edhe më shumë kohë që mos të bëjmë gabime”.

Muaj më parë vetë Kurti kërkonte mbështetjen e deputetëve për Policinë. Ai thoshte se në përballje me Serbinë, policëve u duhet mbështetja, por kur erdhi puna për të ndihmuar ai dhe deputetët e tij e braktisën Kuvendin.

“Për këtë përballje, Policisë së Kosovës i duhet Qeveria e Republikës së Kosovës, e ka, Policisë së Kosovës i duhet Kuvendi i Republikës, ju tregoni a e ka, Policisë së Kosovës, i nevojitet populli i Kosovës, e ka, pra është në dorën tonë kjo fitore e radhës për sundim të ligjit dhe kushtetueshmëri, Policia jonë ka nevojë për mbështetje, jepjani këtë mbështetje”.“Jepjani këtë mbështetje Policisë së Republikës e cila është në vijë fronti me milicinë fashiste, nuk jemi kundër serbëve, i kemi ftuar që të kthene në institucione, iu kemi thënë merrni pjesë në proces demokratik, mirëpo gabimin e Listës Serbe që i bojkotoi zgjedhjet, që i braktisi institucionet, nuk duhet ta paguajë Republika jonë, por Lista Serbe, ai është vendim politik i tyre, pasojat e të cilit duhet t’i marrin ata vet”, thoshte Kurti.

Kërkesë e Policisë është që të paguhen orët shtesë të punës, t’iu bëhen sigurimet shëndetësore dhe t’iu paguhet rrezikshmëria.

Të ngjashme