Lajme
Policia nis hetimet për vdekjen e 56-vjeçarit në Lipjan, dyshohet se mjeku nuk i ofroi shërbim mjekësor
Demokracia
22:24 | 05 Shkurt 2022

Share:

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të rastit të vdekjes së 56-vjeçarit M.G. në Lipjan, për të cilin u ngritën dyshimet se s’i janë ofruar shërbimet mjekësore në emergjencë.

“Sot kemi pranuar informatën, për një rast të vdekjes së dyshimtë të ndodhur në QKUK në Prishtinë. Bëhet fjalë për personin: M.G, mashkull, 56 vjeç nga rrethina e Lipjanit. Me të marrë informatën policia ka filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit. Me gjithë dyshimet e ngritura, policia me kujdes të shtuar po heton rastin dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore në koordinim me prokurorin e shtetit që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes, përderisa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore për obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në anë tjetër, drejtori i Shëndetësisë në Lipjan, Shkëlzen Hajdini ka suspenduar nga puna mjekun Faruk Gashi i cili punonte në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan.

Siç njofton Komuna e Lipjanit, ky vendim është marrë për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësisë të mjekut në fjalë, i cili kishte deklaruar rrejshëm se EKG është jashtë funksionit.

“Pas konstatimit nga Drejtori QKMF-së dhe Shefi i Urgjencës në Lipjan se ekziston aparatura e nevojshme dhe EKG është në funksion si në QKMF ashtu edhe në Urgjencë, është suspenduar mjeku Faruk Gashi, mjekë i përgjithshëm, për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësisë kur ai deklaron rrejshëm se EKG është jashtë funksionit”, thuhet në njoftim.

Tutje, theksohet se askush nuk do të tolerohet që për arsyeje të neglizhencës, papërgjegjësisë ose arsyeje tjera të sillet papërgjegjshëm ndaj pacientëve. /Demokracia.com/

Të ngjashme