Lajme
Policia jep detaje rreth aksionit në veri ku u zbulua laboratori për përpunim të substancave narkotike
Demokracia
17:21 | 23 Maj 2022

Share:

Policia e Kosovës (PK) gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një aksion në bashkëpunim me Doganën e Kosovës në veri.

Gjatë këtij aksioni kanë hasur një laborator për përpunim dhe prodhim të substancave narkotike, e po ashtu janë dëgjuar disa të shtëna armësh, shkruan Demokracia.com.

Në këtë aksion nuk ka të lënduar, kështu ka konfirmuar për Demokracia.com zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti.

“Sot, policia ka asistuar në një aksion të Doganës në Rudinë të Zveçanit, ku pretendohej se ka mallra të kontrabanduara. Mirëpo, gjatë aksionit policia ka hasur në një laborator për prodhimin dhe përpunimin e substancave narkotike”, ka thënë Hoti për Demokracia.com

I njëjti shtoi se aty janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por nuk ka të lënduar.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes për të bërë shiqimin e vendit të ngjarjes, janë gjetur disa gëzhoja armësh, por nuk ka të lënduar dhe as dëme materiale”, theksoi Hoti.

Ai deklaroi se hetimet po vazhdojnë në drejtim të veprës penale “Përpunimi dhe prodhimi i substancave narkotike”./Demokracia.com/

Të ngjashme