Barazia
Policia i shkoi në shtëpi pasi shpërndau një postim, flet gazetarja Qorraj
Demokracia
20:33 | 14 Prill 2021

Share:

Në muret e Deçanit mbrëmjen e së martës janë shkruar parulla “Kafja nuk është vetëm për burra”, “Edhe gratë e mira dalin në kafe”, “Ngacmuesit janë kriminelë” dhe disa shkrime të tjera nga “Kolektivi për Mendim dhe Veprim feminist”.

E gjithë kjo është bërë për të dënuar patriarkatin dhe për t’u dalë në mbështetje grave, dhe ka pasur reagime të shumta mbështetëse, por nuk kanë munguar as reagimet negative dhe ofendimet, raporton Demokracia.com.

Një nga mbështetëset e kësaj nisme ishte edhe një gazetare në Deçan, Suada Qorraj e cila ndau në llogarinë e saj në Facebook fotografitë e këtyre shkrimeve.

Por, pas atij postimi asaj i’u vë pas policia e Kosovës, por pa qëllime të këqija.

E ftuar në televizionin ATV, gazetarja tregon arsyen pse policia i shkoi asaj në shtëpi dhe më pas e telefonuan.

“Më kanë telefonuar dhe më kanë thënë meqenëse e keni shpërndarë grafitin, duam të dimë çfarë mesazhi dëshironi të përçoni dhe kush janë personat që i kanë bërë grafitet”, tha Qorraj.

Ajo tutje tregon se nuk ishte në dijeni për personat që kishin bërë grafitet dhe të njejtën gjë i kishte thënë edhe policisë, raporton Demokracia.com.

Qorraj tregon se policia është sjellë në mënyrë korrekte me të dhe nuk e kan telefonuar më.

Ajo tregon se postimi ishte për të mbështetur gratë dhe pavarësisht komenteve negative dhe ofendimeve që kishte marrë ajo do të vazhdojë të bëjë të njejtën gjë.

“Çkado që ka të bëjë me të drejtat e grave unë do t’i mbështes në secilën formë që mundem”, thotë Qorraj.

Suada tregon se shkrimet e vendosura në mure, tregojnë të vërtetën e gjendjes së grave në Deçan.

“Meqenëse unë jetoj në Deçan e di sa e sikletshme është me hy në një kafe ku ka vetëm burra, sepse gjithmonë ka shikime që të vënë në siklet dhe ekziston nevoja për një zhvillim më të madh për këtë çështje”, shprehet ajo.

Veprimi i Suadës është përkrahur nga gratë që poashtu e përkrahin nismën dhe nevojën për të bërë thirrje të tilla./Demokracia.com/

Të ngjashme