Lajme
Policia gjermane vret azilkërkuesin afgan që vrau një bashkëkombës dhe plagosi tre tifozë
Demokracia
18:37 | 16 Qershor 2024

Share:

Policia gjermane ka njoftuar se kanë gjuajtur dhe vrarë një azilkërkues afgan, në një qytet pranë Berlinit.

Sipas komunikatës së policisë, 27-vjeçari afgan fillimisht kishte plagosur një 23-vjeçar bashkëkombës, i cili më vonë ndërroi jetë shkaku i plagëve të marra.

Përpos tij, personi në fjalë kishte plagosur edhe tre tifozë gjermanë të futbollit, ku dy prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Sulmuesi nuk u ndal më kaq, duke sulmuar edhe zyrtarët policorë, ku pastaj këta të fundit ndërhynë, duke e qëlluar dy herë me armë. 27-vjeçari ndërroi jetë pak minuta pasi u transferua në spital.

Javët e fundit, disa raporte janë shfaqur në lidhje me sulmet nga shtetas afganë që banojnë në Gjermani.

Javën e kaluar, policia gjermane njoftoi arrestimin e një të riu afgan 19-vjeçar i akuzuar për therjen me thikë të një gruaje 41-vjeçare gjermane në Frankfurt.

Për më tepër, të dielën, më 2 qershor, Suleiman Atai, një 25-vjeçar afgan, sulmoi një tubim anti-islamik në Mannheim, duke vrarë një oficer policie dhe duke plagosur pesë civilë.

Këto incidente nxjerrin në pah një shqetësim në rritje për sulmet e shtuara nga refugjatët në Gjermani kohët e fundit.

Autoritetet po bëjnë thirrje për rritjen e vigjilencës dhe masave për të parandaluar dhunën e mëtejshme në vend.

Të ngjashme