Lajme
Policia gjen armëmbajtje pa leje në katër lokacione gjatë 24 orëve të fundit
Demokracia
12:20 | 03 Shkurt 2021

Share:

Policia e  Kosovës ka konfirmuar se gjatë 24 orëve të fundit në polici janë raportuar katër raste të veprës penale “armëmbajtje pa leje”.

Rastet e raportuara janë nga komuna e Podujevës, Novobërdës, Shtërpcës dhe Malishevës.

Në Podujevë, Policia e Kosovës ka arrestuar një person si të dyshuar për armëmbajtje pa leje.

“Podujevë 02.02.2021 – 15:55. Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit në veturën e tij, është gjetur dhe konfiskuar një sprej.”, thuhet në raportin e PK-së.

Pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Policia po ashtu ka konfiskuar një revole me një fishek gjatë bastisjes së shtëpisë së një gruaje në fshatin Boljecv të Novobërdës.

“Fsh. Boljevc, Novobërdë 02.02.2021 – 07:20. Me urdhër të Gjyqtarit, është bastisur shtëpia e të dyshuarës femër kosovare, me pretekst se të atë lokacion kishte armë. Gjatë kontrollit është gjetur një revole me 1 fishek, të cilat janë konfiskuar.”, thuhet në raport.

Me urdhër të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt.

Më 31 janar një person kishte raportuar në polici, se në tjetër person e kishte kërcënuar me armë, në fshatin Drajkovc të Shtërpcës.

Mirëpo gjatë ditës së djeshme policia ka arritur që të dyshuarit t’i konfiskojë armën e gjuetisë me tre fishekë.

“Fsh. Drajkovc, Shtërpcë 02.02.2021 – 13:20. Ankuesi mashkull kosovar raporton se më 31.01.2021 i dyshuari mashkull kosovar e kishte kanosur me armë, të cilën armë i dyshuari e kishte dorëzuar. Nga i dyshuari është konfiskuar arma e gjuetisë me tre fishek”, njofton polica.

Me urdhër të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt.

Edhe një armë pa leje është konfiskuar gjatë kontrollit policor në Bellanicë të Malishevë.

“Fsh. Bellanicë, Malishevë 02.02.2021 – 01:30. Njësit policore gjatë një pike kontrolli kanë ndalur një automjet me vozitës mashkull kosovar, ku gjatë kontrollit kanë gjetur dhe konfiskuar një armë pushkë ajrore.”, konfirmon policia.

I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt./Demokracia.com

 

Të ngjashme
Lajme • 02 Qershor 2024