Lajme
Policia e kryeqytetit vetëm në letër
Demokracia
08:23 | 28 Gusht 2023

Share:

Policia e Prishtinës edhe pse e paraparë të themelohej para pesë viteve, ende nuk është krijuar kjo strukturë në kuadër të institucionit të sigurisë. Rasti i fundit i vrasjes në njërin nga lokalet në kryeqytet, por edhe problemet tjera, kanë rritur nevojën për të shtuar numrin e policëve për sigurinë e qytetarëve në Prishtinë.

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca Komunale në Prishtinë, Lulëzim Fushtica, ka thënë për KosovaPress, se si institucion janë të gatshëm që t’i inkuadrojnë ekipet shtesë të policisë për të shtuar sigurinë. Sipas tij, kjo do të shtojë edhe bashkëpunimin e qytetarëve me policinë e kryeqytetit.

“Policia e kryeqytetit do të jetë e koncentruar vetëm në kryeqytet, dhe mandati i saj do të përkufizohet vetëm në kryeqytet. Strukturat ekzistuese që janë, do të përqendrohen në kryeqytet dhe normalisht me rritjen e numrit të policëve dhe krijimin e drejtorisë, normal që do të rritet siguria në përgjithësi. Por, duhet pasur parasysh se krijimi i kësaj strukture në kuadër të Policisë së Kosovës, do të rritë edhe bashkëpunimin jo vetëm me qytetarët por edhe bashkëpunimin dhe llogaridhënien për kryeqytetin”, tha Fushtica.

Fushtica kërkon nga qytetarët e Prishtinës që të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë, sepse sipas tij, as policia nuk mund të kryej punën e vet nëse nuk ka bashkëpunim në mes të dy palëve.

“Me krijimin e kësaj drejtorie, normal që rritet edhe percepsioni i sigurisë, normal që rritet edhe ndjenja e sigurisë. Mirëpo, duhet të theksojmë se kryeqyteti është i sigurt, se nuk mund të prishet imazhi i kryeqytetit me një apo dy incidente, që kanë qenë incidente të shkalles së lartë, mirëpo në përgjithësi kryeqyteti është i sigurt. I ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me institucionet e kryeqytetit, Policinë e Kosovës sepse as institucionet, as Policia e Kosovës nuk mund të kryejnë punën e vet, nëse nuk ka bashkëpunim me qytetarët”, tha Fushtica.

Se ngjarjet e fundit të vrasjeve në lokalet e Prishtinës shtojnë nevojën për rritjen e trupave policorë në kryeqytet, e thotë edhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi. Sipas tij, Policia e Kosovës duhet të kryej punën në bazë të ligjit si për kryeqytet, ashtu edhe për sigurinë e vendit në përgjithësi.

“Si sistem i strukturës organizative e unifikuar, Kosova vepron ashtu edhe këtu në bazë të ligjit për Policinë e Kosovës, por ajo ndihmon shumë duke i referuar specifikave te kryeqytetit. Për këtë arsyeje, mendoj se duhet të bëhet një polici e tillë, por mos të mendohet që tash t’ia atribuojmë kryetarit, por çdoherë duke i referuar veprimit të punës të unifikuar në gjithë territorin…Pra, shumë vende të rajonit në aspektin organizativ, në kuadër të Policisë së Kosovës, pra dhe policia e kryeqytetit që rregullon edhe çështjen e trafikut, rendit e qetësisë publike, dhe këto çka po i referohemi, ngjarjeve të fundit tragjike në Bon Vivant, shumë plagosje dhe përgjithësisht shqetësimeve të opinionit. Mirëpo, realisht mos të ngutemi të themi konstatime se personat gjithandej janë të armatosur, duke bartur me vete armë, por policia duhet të ndërmarrë veprime në bazë të ligjit”, shprehet Ibishi.

Ai kërkon nga qytetarët që të mos mbajnë armë me vete, sepse kjo krijon shqetësim dhe pasoja të mundshme në kryeqytet.

Edhe qytetarët nga Prishtina kërkojnë që të zbatohet ligji për policinë e kryeqytetit, meqë sipas tyre, kryeqyteti ka nevojë të domosdoshme për polici speciale.

Qytetari nga kryeqyteti, Rrahman Emini thotë se qytetarët do të ndihen më të sigurt të dalin në rrugë, nëse do të ketë polici të kryeqytetit.

“Më mirë me pas policinë e vet se është kryeqytet edhe dihet që 30% e popullatës, krejt Kosovës, për ata më mirë kishte me qenë, me siguri po se kontrolla është më e madhe dhe japin përgjegjësi drejtpërdrejt Komunës së Prishtinës. Gjithqysh qytetarët e japin kontributin më të madh me policinë dhe duhet me qenë bashkëpunimi gjithqysh”, tha Emini.

Po ashtu, Musli Purkuqi nga Prishtina u shpreh se policia në kryeqytet është e domosdoshme.

“Jam shumë i sigurt se policinë e veçantë, përveç e Kosovës duhet me e pas si kryeqytet… për arsye sepse janë duke u krijuar shumë probleme të mëdha në kryeqytet. Rinia deri diku po bartin armë pa leje nëpër ato kafet e natës po bëhen shumë vrasje, konflikte të ndryshme, sherre të ndryshme, është e domosdoshme”, shtoi Purkuqi.

Në vitin 2018 në Kuvendin e Kosovës është miratuar Ligji për kryeqytetin e Republikës së Kosovës, ku parashihet krijimi i policisë së kryeqytetit.

Të ngjashme
Lajme • 02 Qershor 2024