Lajme
Policia e Kosovës urdhëroi suspendimin e Amir Hoxhës, Inspektorati s’u mor me këtë punë
Demokracia
12:53 | 05 Shkurt 2022

Share:

Zyrtari policor, Amir Hoxha është suspenduar nga puna e tij për tre ditë, kjo pasi shprehu publikisht pakënaqësitë rreth mospagesës së shujtave për policët. Suspendimin e tij nuk e urdhëroi Inspektorati, por Policia e Kosovës.

Polici Amir Hoxha disa ditë më parë shfrytëzoi rrjetin social Facebook për të shprehur pakënaqësitë e tij rreth pagesave ndaj policëve, reagim ky që erdhi pas publikimit të shumave të majme të parave që i marrin deputetët e Kuvendit të Kosovës, si kompensim për udhëtimin nga komunat e tjerë për në Prishtinë.

Ky reagim i tij i kushtoi me suspendim nga puna, të cilin e ka urdhëruar Policia e Kosovës, e jo Inspektorati i Policisë së Kosovës.

Kjo është konfirmuar për Demokracia.com nga këta të fundit, në një përgjigje të shkurtër.

“Ju lutem kontaktoni me Policinë e Kosovës pasi që nuk është rast që ka trajtuar IPK-ja”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Demokracia.com ka nisur pyetje edhe te Policia e Kosovës lidhur me këtë çështje, por të njëjtit nuk kanë kthyer ende përgjigje.

Ndërkohë, zyrtari policor në njoftimin e tij për suspendim nga puna, ka thënë se kjo ka ardhur si arsyetim se ka kryer vepër penale apo shkelje të rëndë diciplinore.

“Suspendimi vjen me pretekstin se unë kam kryer veper penale apo shkelje të rëndë disciplinore , e që me sa dij unë me njohurinë time si jurist i diplomuar në Universitetin e Prishtinës ” fjala e lire apo shprehja e nje paknaqesie e cila eshte e bazuar ne ligj” nuk paraqet vepër penale”, ka thënë ai.

Disa javë më parë, po i njëjti polic ishte “shpallur” hero në rrjete sociale, pasi i shpëtoi jetën një personi që po tentonte të vetëvritej në Gërmi.

Pas suspendimit të policit Hoxha, në rrjete sociale ka pasur shumë reagime të cilat po e konsiderojnë këtë si veprim jo të drejtë dhe të një anshëm, vetëm pasi e kritikoi Qeverinë e Kosovës./Demokracia.com/

Nga hero, në i papunë: Polici që u suspendua pasi kërkoi pagesën e shujtave, ditë më parë e ka shpëtuar një person nga vetëvrasja

Të ngjashme