Lajme
Policia e Kosovës thotë se s’do të tolerohen sjelljet jo profesionale të zyrtarëve policore
Demokracia
20:05 | 16 Mars 2021

Share:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti i shoqëruar nga menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës kanë realizuar një takim zyrtar në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës, për të diskutuar rreth punës dhe angazhimeve policore përfshirë integritetin, kodin e etikës, komunikimin, mbikëqyrjen si dhe qasjen ndaj qytetarëve.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie të Policisë së Kosovës, në të cilën thuhet se Mehmeti ka kërkuar nga pjesëtarët e policisë që të ngritët përgjegjësia në menaxhim dhe mbikëqyrje nga eprorët e të gjitha niveleve me qëllim të avancimit të mëtejmë të besueshmërisë dhe imazhit të Policisë së Kosovës, si organizatë profesionale në shërbim të qytetarëve, përcjellë Demokracia.com.

Po ashtu, në komunikatë kërkohet që të mbikëqyret puna e zyrtarëve policorë në terren që të kenë komunikim dhe qasje profesionale në të gjitha rastet pa marrë parasysh rrethanat me të cilat përballen,  duke treguar përgjegjësi dhe llogaridhënie në interes të shërbimit sa më cilësor ndaj nevojave të qytetarëve.

“Menaxhmenti i Policisë së Kosovës do të mbetet i përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit, andaj  me qëllim të një shërbimi sa më efikas, nuk do të tolerohen sjelljet e mundshme jo profesionale dhe tejkalimi i autorizimeve policore”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm apo sjellje të mundshme joprofesionale nga ana e zyrtarëve policorë./Demokracia.com/

Të ngjashme