Komuna e Prishtinës ka nisur sërish punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, ndonëse ato ishin ndërprerë nga Inspektorati I Trashëgimisë Kulturore dy herë.
Policia e Kosovës sot është deklaruar në lidhje me praninë e tyre në sheshin “Xhorxh Bush”, ku kanë vazhduar punimet.
Sipas Policisë, ata ishin në asistim të Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, për aktivitete të planifikuara në kuadër të punës sekondare, aktivitete këto që nuk ndërlidhen me asistimin e kryerjes se punimeve në atë zonë.
Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës – Prishtinë, në një njoftim për opinionin publik, bën të ditur se sot, zyrtarët policorë ishin të pranishëm në sheshin “George Bush” në Prishtinë për të asistuar Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës në aktivitete të planifikuara jashtë kuadrit të kryerjes së punimeve në atë zonë.
“Zyrtarët policorë veprojnë në bazë të parimeve të ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe neutralitetit, duke respektuar në çdo rast ndarjen e pushteteve dhe kompetencat e institucioneve të tjera. Çdo pretendim që sugjeron tejkalim të kompetencave nga ana e Policisë së Kosovës është i pabazuar dhe bie ndesh me misionin tonë për të vepruar në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ofruar mbështetje institucionale në përputhje me ligjin dhe për të garantuar sigurinë publike, duke respektuar gjithmonë kufijtë e kompetencave të saj”, thuhet në reagimin e policisë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë sot gjatë punimeve se “policia e qon inspektoratin te shtëpia”.
“E kemi policinë dhe e çon inspektoratin te shtëpia. Ne punimet do t’i vazhdojmë”, ka thënë Rama.
Inspektorati i Trashigimisë Kulturore më 12 mars të këtij viti kishte ndaluar punimet në këtë shesh, vetëm dy ditë pasi kishin nisur nga Komuna e Prishtinës, projekt ky që kap vlerën prej 18 milionë e 400 mijë eurove.
Në listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme e që preken nga ndërtimi i këtij sheshi, janë hoteli “Grand Hotel”, ndërtesa e ish-Radio Prishtinës, Rektorati i Universitetit dhe Biblioteka Kombëtare. Ndërkaq, Ligji për Trashëgiminë Kulturore përcakton se për çdo intervenim në pronat e trashëgimisë kulturore apo afër tyre nevojitet pëlqim ose leje nga institucioni kompetent.
Ndërkohë, sipas autoriteteve lokale ky projekt përfshin hapësira të gjelbëruara, minisheshe, zona rekreative dhe sportive, si dhe hapësira argëtuese për fëmijët.
Sipas planifikimeve fillestare që i kishte prezantuar komuna, punimet për ndërtimin e këtij sheshi parashihen të zgjasin 240 ditë pune. /Demokracia.com/