Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, përkatësisht Stacioni Policor në Podujevë, ka bërë publike fotografinë e një personi të dyshuar i cili është shpallur në kërkim, me autorizim të Prokurorisë Themelore – Departamenti i Përgjithshëm në Prishtinë.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari akuzohet për përfshirje në veprën penale “Vjedhje e rëndë”, e cila është e paraparë me nenin 315 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Rasti për të cilin po zhvillohen hetimet ka ndodhur më 6 nëntor 2024, në rrugën “Fitorja”, në fshatin Letanc të Podujevës.
Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që të kontribuojnë me informacione që mund të çojnë në identifikimin apo lokalizimin e personit të dyshuar, qoftë përmes tipareve fizike apo të dhënave tjera që mund të ndihmojnë hetimin.
“Ne vlerësojmë lartë bashkëpunimin me komunitetin për një shoqëri pa krim, andaj presim që informacionet tuaja t’i kontribuojnë identifikimit dhe arrestimit sa më të shpejtë të të dyshuarit”, thuhet në komunikatën zyrtare.
Qytetarët që kanë informacione të rëndësishme në lidhje me rastin mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës përmes kanaleve të mëposhtme:
E-mail: [email protected]
Facebook: https://www.facebook.com/KosovoPolice/
Aplikacioni mobil: Lajmero Policinë
Numri i telefonit: 192
Policia fton të gjithë qytetarët të jenë pjesë aktive e garantimit të sigurisë publike, përmes bashkëpunimit të ndërsjellë dhe informimit të drejtëkohshëm.