Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka arrestuar gazetarin nga Lugina e Preshevës, Nexhat Behluli, i cili përmes një shkrimi në Facebook kërkonte eliminimin e gazetarëve.
Ai u arrestua për kanosje dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
“Prishtinë 05.05.2025 – 13:00. Më datë 30.05.2025 lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull, nën dyshimin se kishte postuar një shkrim në facebook duke kanosur disa gazetarëve. Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes”, njoftoi sot policia në raportin 24-orësh.
Gazetari nga Presheva i kishte cilësuar gazetarët “kancer i shtetit të Kosovës” dhe për këtë deklaratë vetë kishte treguar se është ftuar nga organet e rendit për intervistim.
“Nëse vetëm pak ja keni haberë profesionit të gazetaris e keni kuptu si funksionojnë këta profiterat medial, njëri prej tyne e publikon një Lajm tendencioz, të gjithë pas e publikojnë të njejtin Lajm vetëm ja ndryshojnë titullin. Nëse njërit prej ktyne ju zbulohet naj aferë, të gjithë këta tjerët pastaj i dalin në mbrojtje ! Këta janë kancer i shtetit të Kosovës dhe çka është më e keqja shumë jan forcu, nuk nalen, e vetmja mundësi me ja nal hovin e zullumit është sikur Bullgaria dhe Rumania qysh i ka eliminu kriminelët në prag të antarsimit në BE”, kishte shkruar ai./Express/