Lajme
Polici gjerman pushohet nga puna, vodhi 180 kilogramë djathë nga një kamion i aksidentuar
Demokracia
08:53 | 03 Korrik 2024

Share:

Një oficer policie në Gjermani humbi punën pasi vodhi rreth 180 kilogramë djathë nga një kamion i përmbysur pas një aksidenti.

Gjykata e Lartë Administrative në Rhineland-Pfalz refuzoi të martën apelin e policit, që do të thotë se vendimi për shkarkimin e tij qëndron në fuqi, shkruan DeutscheWelle.

Oficeri punonte për patrullën e autostradës dhe ishte caktuar për të hetuar vendin ku kishte ndodhur një aksident.

“Ai drejtoi një minibus policie afër kamionit të aksidentuar, hapi derën anësore të autobusit të policisë dhe i kërkoi punonjësit të një kompanie shpëtimi që punonte atje t’i jepte disa pako me djathë të padëmtuar nga kontejneri frigorifer” shpjegoi gjykata në një deklaratë.

Janë marrë gjithsej nëntë pako djathë, secila me peshë 20 kilogramë. Djathi i vjedhur vlerësohej në vlerë prej 554 eurosh.

“I pandehuri i ka kthyer disa nga pakot në zyrë”, thuhet në deklaratë. Besohet se ka mbajtur edhe disa për vete dhe miqtë dhe të afërmit e tij.

Në ankesë, oficeri shpjegoi se djathi praktikisht nuk vlente për shkak të thyerjes së zinxhirit të ftohtë dhe se donte ta shpëtonte atë nga prishja.

Polici tha gjithashtu se nuk ka ngrënë vet nga ai djath.

Megjithatë, gjykata nuk u pajtua, duke thënë se i dyshuari kishte kryer vjedhje ndërsa ishte në detyrë me uniformë.

“Me këtë sjellje i pandehuri ka dëmtuar rëndë reputacionin e policisë së vendit”, tha gjykata.

Të ngjashme