Lajme
“Polici është në detyrë 24/7”, Ibishi flet rreth situatës së krijuar pas vrasjes së rreshterit Lika
Demokracia
12:00 | 24 Prill 2025

Share:

Kanë kaluar më shumë se tri javë nga dita kur rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, u vra në mënyrë të organizuar dhe brutale në hyrje të banesës së tij në Ferizaj. Rasti tronditi opinionin publik dhe shkaktoi reagime të forta nga institucionet e sigurisë, ndërsa ende mbetet pa përgjigje një nga pyetjet kyç se cili ishte motivi i kësaj vrasjeje.

Deri tani, hetimet janë fokusuar në identifikimin e personave të përfshirë, ku bazuar në pamje të kamerave të sigurisë, janë arrestuar disa të dyshuar, por detajet rreth prapavijës së krimit, organizatorëve dhe qëllimit të sulmit mbeten të paqarta.

Ngjarja ka ngritur shqetësime të mëdha për nivelin e sigurisë së zyrtarëve policorë dhe ka nxitur diskutime për përfshirjen e grupeve të organizuara kriminale në atentate të tilla.

Në një prononcim për IndeksOnline, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka dhënë një analizë të thelluar mbi rrethanat dhe implikimet e rastit.

“Sot e kemi të vështirë të japim një gjykim të plotë – kanë kaluar 23 ditë dhe ende nuk dihet motivi i kësaj vrasjeje. Mënyra e kryerjes së atentatit është disi e qartë, por motivi dhe organizimi janë elemente thelbësore që duhet patjetër të zbardhen”, deklaron Ibishi për IndeksOnline.

Sipas tij, rasti duhet trajtuar si një atentat ndaj një zyrtari policor në kryerje të detyrës, pavarësisht se ku ka ndodhur vrasja.

“Shumëkush nuk e kupton se zyrtari policor është në detyrë 24/7, qoftë me uniformë apo civil. Nuk ka rëndësi nëse vrasja ka ndodhur në hyrje të banesës apo në rrugë – ai është ekzekutuar si përfaqësues i rendit publik”, thekson ai.

Ibishi tregon se pas ngjarjes, Policia ka ndjekur procedurat për të analizuar më në detaje strukturën e mundshme të organizimit të këtij atentati, ndërsa thekson seriozitetin e rasteve të tilla që mund të kenë implikime më të gjera.

“Ka të dhëna që kjo mund të jetë vepër e një grupi të strukturuar. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar dy persona në hyrje të ndërtesës, të cilët dyshohet të jenë kryesi dhe bashkëpunëtori. Ende nuk duhet të nxjerrim përfundime të ngutshme, pasi hetimet preliminare janë në zhvillim”, u shprehë Ibishi për IndeksOnline.

Ai thekson se është mbajtur një seancë e mbyllur mes prokurorisë dhe mbrojtësve të të pandehurve, çka tregon ndjeshmërinë dhe kompleksitetin e rastit.

Duke folur për masat mbrojtëse ndaj zyrtarëve policorë, ai vlerëson se në situata të rregullta ata janë të trajnuar dhe të armatosur për vetëmbrojtje, por në rastet kur ka kërcënime të mundshme, institucionet duhet të reagojnë me masa të jashtëzakonshme.

“Nëse ekzistojnë kërcënime individuale apo nga grupe të caktuara, atëherë prokuroria, gjykata dhe Inspektorati Policor duhet të vendosin masa mbrojtëse të menjëhershme. Ka pasur raste kur këto masa janë vonuar ose nuk janë zbatuar, dhe kjo mund të ketë pasoja fatale”, shton eksperti për IndeksOnline.

Ibishi ka vënë në pah edhe rëndësinë e bashkëpunimit mes policisë dhe prokurorisë, por kërkon më shumë përgjegjësi nga gjykatat, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndalimin apo paraburgimin e të dyshuarve.

“Në shumë raste, personat me precedent penal lirohen shpejt për shkak të vendimeve të zbehta të gjykatave. Kjo u jep atyre hapësirë të vazhdojnë veprimtarinë kriminale. Prandaj, kërkohet që masat ndëshkuese të jenë më të rrepta, sidomos ndaj recidivistëve,” përfundon Ibishi.

Ai nënvizon se forcat e rendit duhet të kenë hapësirën e duhur për të vepruar në përputhje me ligjin, pa u penguar nga vonesa institucionale, në mënyrë që të parandalohet përshkallëzimi i krimeve të tilla që cenojnë rendin dhe sigurinë në vend./IndeksOnline/

Të ngjashme