Lajme
Policëve u kërkohet të shmangin pikë kalimet kufitare me Serbinë
Demokracia
22:27 | 18 Prill 2024

Share:

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka kërkuar nga pjesëtarët e saj që të mos shfrytëzojnë pikat kufitare me Serbinë gjatë udhëtimeve jashtë vendit.

Sipas njoftimit që ka siguruar Tëvë1, thuhet se kjo është bërë për të shmangur arrestimet nga Serbia pas zhvillimeve të fundit.

“Republika e Serbisë është duke i ndaluar të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që janë duke shfrytëzuar territorin e saj për kalim. Prandaj me qëllim që të mos jeni i ndaluar shmangeni pikëkalimet kufitare serbe. Shpërndaje këtë njoftimit tek kolegët tanë. Me respekt”, thuhet në njoftimi.

Gjatë ditës së djeshme, qindra kosovarë janë mbajtur të bllokuar për mbi 16 orë nga autoritetet serbe në pikat kufitare me Serbinë. Serbia ka ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova edhe në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka konfirmuar sot në mbledhjen e Qeverisë se janë liruar katër nga pesë zyrtarët policorë që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë. Sipas Kurtit, katër zyrtarët tashmë janë liruar dhe se i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

Të ngjashme
Lajme • 02 Maj 2024