Lajme
Policët ende të bllokuar në kufi me Serbinë, por kanë ushqim dhe rroba
Demokracia
21:46 | 19 Dhjetor 2022

Share:

Veriu i Mitrovicës pandërprerë ka prezencë të policisë, prej kur u tensionua situata në këtë zonë.

Ekipet e forcave të rendit janë me orar 12 orësh në terren, derisa në këtë pjesë vijnë prej stacioneve të tjera rajonale më larg Mitrovicës.

Por mundësinë për t’u ndërruar nuk e kanë edhe kolegët e tyre në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak, që janë bllokuar tash e dhjetë ditë për shkak të vendosjes së barrikadave në dy magjistralet.

Klan Kosova nuk ka marrë përgjigje zyrtare nga policia për gjendjen e tyre. Mirëpo, nga burimet e veta, mëson se policëve të bllokuar u janë dërguar rezerva ushqimore dhe veshmbathje. Shqetësimin për ta e ka shprehur edhe Sindikata e Policisë.

Megjithatë, në një komunikatë të lëshuar për media, të hënën, u tha që janë ndërmarrë të gjitha masat për t’iu përgjigjur situatave dhe kërkesave të qytetarëve.

Demokracia.com pati raportuar më 12 dhjetor se katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës kishin mbetur të bllokuar në një automjet të blinduar mes dy barrikadave, pa mundësi lëvizjeje, por që më pas u gjet mënyra për t’i transferuar në stacionin e Leposaviqit.

Demokracia.com po ashtu kishte raportuar se ata kishin mbetur edhe pa derivate, por ishin ndihmuar më pas nga disa banorë të zonës.

Policia ka shtuar se është e mirëpritur nga banorët në veri. Në Mitrovicë madje ka shumë raste kur qytetarët u ofrojnë ushqim e pije falas. Ndërsa, solidarizimin e bizneseve me ta, e ka bërë publik edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

LEXO EDHE:

Shqetësuese | Mes dy barrikadave në veri, katër policë mbesin të bllokuar

Tërhiqen katër policët që qëndruan të bllokuar për katër ditë mes barrikadave serbe

Të ngjashme