Lajme
Policët e suspenduar në rastin e vrasjes së gruas shtatzënë në QKUK kthehen në punë
Demokracia
17:03 | 19 Maj 2023

Share:

Hamide Magashi kishte mbetur e vrarë mbrëmjen e 30 nëntorit të vitit të kaluar nga bashkëshorti i saj Sokol Halili, në oborrin e QKUK-së.

Bashkëshorti i viktimës kishte kryer vetëvrasje, 2 orë para njoftimit nga prokuroria se ishin marrë masat e nevojshme hetimore për sigurimin e të njëjtit në procedurë.

Ndaj 35 vjeçares kishte pasur një udhërmbrojtje dhe për zbatimin e tij kishte qenë i ngarkuar Stacioni policor në Shtime dhe Lipjan.

Katër zyrtarë policorë nga Stacioni Policor i Lipjanit ishin suspenduar lidhur me këto veprime hetimore.

Kallxo.com raporton sot se zyrtarët në fjalë janë kthyer në vendin e tyre të punës. Ata kishin qëndruar nën masën e suspendimit për 122 ditë.

Tutje, sipas kallxo.com, Inspektorati i Policisë së Kosovës i ka bërë të ditur se ndaj 3 zyrtarëve, rreshterit dhe dy hetuesve është dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelorë të Prishtinës më 17 mars 2023.

Kurse, ndaj komandantit të Stacionit Policor – Lipjan Inspektorati ka bërë kërkesë për inicim të procedurës Disiplinore në Drejtorinë për Hetime të Brendshme. Sipas IPK-së ndaj të njëjtëve ekziston dyshimi i bazuar për keqpërdorimin e detyrës apo autoritetit zyrtar.

Njoftimin për ndërprerjen e masës së suspendimit e kishte dhënë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë më 4 prill, njofton Inspektorati.

“Suspendimi në interes të hetimit të Inspektoratit Policor ka përfunduar me dorëzimin e kallëzimit penal” – thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

Të ngjashme