Sport
Pochettino zbulon arsyen pse zëvendësoi Messin ndaj Lyonit
Demokracia
13:00 | 20 Shtator 2021

Share:

Mauricio Pochettino është në qendër të kritikave nga mbështetësit e Paris Saint-Germainit dhe jo vetëm.

Trajneri argjentinas vendosi ta largonte nga loja 15 minuta para fundit Lionel Messin në derbin kundër Lyonit të luajtur mbrëmë në “Parkun e Princave”, shkruan Demokracia.com.

Në vend të Messi, Pochettino vendosi ta inkuadronte Achraf Hakimin, derisa rezultati ishte i barabartë 1-1.

Ky vendim nuk u prit fare mirë as nga ylli argjentinas, Messi që u shpreh i pakënaqur me trajnerin të cilit nuk ia zgjati fare dorën.

Pochettino ka zbuluar arsyen pse e largoi Messin nga fusha e lojës.

“Janë vendime që dikush duhet t’i marrë për ekipin. Të gjithë e dinë që kemi lojtarë të mëdhenj, por dikush duhet të bëjë zgjedhje”, tha ai.

“Ndonjëherë vendimet janë pozitive ose jo, por kjo është arsyeja pse një skuadër futbolli ka një trajner. Mund të pajtoheni me një vendim ose jo”.

“E pyeta Messin si ndihej dhe ai me tha se ishte mirë, pa probleme. Messi është një lojtar i madh. Kemi pesë zëvendësime në dispozicion dhe është e qartë se lojtarëve nuk u pëlqen të dalin nga fusha”, deklaroi tekniku argjentinas. /Demokracia.com

Të ngjashme