Lajme
Po Zajednicës: Sa herë Kurti dha zotim për themelimin e Asociacionit?
Demokracia
17:13 | 28 Mars 2024

Share:

Më shumë se një vit më parë, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, e dha zotimin e parë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, një temë që e kundërshtonte ashpër në opozitë. Përveç në Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e saj, Kurti tash ka premtuar sërish se do të themelojë Asociacionin.

Në një letër dërguar në adresë të Dora Bokajanis, raprotuese për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, bashkë me presidenten Vjosa Osmani e kryekuvendarin Glauk Konjfuca, Kurti e dha sërish “besën” për Asocacionin.

Në letrën që e publikoi Nacionale, Kurti bashkë me Osmanin e Konfucën zotohej se do të themelojë besnikërisht sa më shpejtë Asocacionin.

“Në letrën tuaj të datës 21 mars 2024, ju na i ofruat ‘zotimet e propozuara të cilat Kosovës do t’i kërkohen që t’i respektojë porsa të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës’. Korrespondenca juaj tregon se kjo listë, që kërkon një përgjigje nga institucionet shtetërore të Kosovës, përbën një përbërës integral të procesit tonë të aplikimit dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës” – thuhej në letrën, e cila është nënshkruar më 22 mars nga tre krerët institucionalë.

Kurti ishte zotuar për themelimin e Asociacionit edhe një herë tjetër. Madje, Kurti kishte dhënë fjalën e tij në marrëveshjen bazë të Brukselit, që u dakordua mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së në 27 shkurt të vitit 2023.

Në nenin 10 të marrëveshjes thuhej se “Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut nga e kaluara”. Në një intervistë, Kurti e kishte theksuar se ka Asociacionin në marrëveshjen bazë.

“Ka Asociacion, neni 10 thotë që të dy palët e konfirmojnë obligimin e tyre për të zbatuar marrëveshjet e kaluara, të cilat ngelen valide dhe të obligueshme. Pra 39 marrëveshje janë, prej 2 korrikut të vitit 2011 deri më 25 gusht të 2015, për diç më shumë se 4 vite, janë 39 marrëveshje.” – deklaronte Kurti.

Madje, Kurti kishte shkuar një hap më tutje, duke pranuar një “nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

“Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.” – shkruhet në marrëveshjen e Brukselit, të cilën ka kohë që Kurti kërkon të nënshkruhet, gjë e cila refuzohet nga Serbia.

Në këtë kontekst, Kurti ishte pajtuar me aneksin e Marrëveshjes Bazë, e cila fliste edhe për çështjen e nenit 7, pra për vetëmenaxhimin dhe Asociacionin.

“Pika 5. Për të zbatuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për krijimin e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut të përcaktuara nga ndërmjetësi i BE-së.” – thuhej në aneksin e Marrëveshjes Bazë, që sërish ishte zotim nga Kurti.

Të ngjashme