Lajme
“Po mbyllet një media për herë të parë pas luftës”| Shumë reagime pas vendimit të Qeverisë për Klan Kosovën
Demokracia
20:11 | 28 Korrik 2023

Share:

Komisioni për shqyrtimin e ankesave në ARBK ka marrë vendim që t’ia pezulloj Klan Kosovës certifikatën e biznesit, pasi nuk ia ka pranuar ankesën. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se për ta kjo çështje ka mbaruar, e se rasti tashmë do të kaloj në Gjykatë.

Rreth këtij rasti ka pasur reagime të shumta, ku vet medium në fjalë, Klan Kosova, ka bërë të ditur se i ka të gjitha dokumentet që dëshmojnë se pronari i kompanisë e ka regjistruar në komunën e Gjakovës të Republikës së Kosovës.

Në fund, bëhet e ditur se Klan Kosova do të ankohet në gjykatën kompetente rreth rastit.

Nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës janë shprehur të tronditur pas vendimin të Qeverisë për Klan Kosovën.

Përmes një reagimi, AGK-ja ka thënë se është alarmuar me këtë vendim që lë në fuqi vendimin për pezullimin e certifikatës së mediumit në fjalë.

“Me këtë vendim, ministrja Rozeta Hajdari e cila është pjesë e Qeverisë Kurti ka finalizuar të gjitha veprimet administrative të nevojshme për të mbyllur televizionin Klan Kosova. Ndonëse vendimi mund të apelohet në gjykatë, ky vendim duhet të kuptohet si vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti për të mbyllur një medium për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.” – thuhet në reagim.

Tutje, AGK-ja u shpreh se beson që ky proces është i motivuar nga partia në pushtet dhe Qeveria e vendit.

“AGK-ja, beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend. Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve.” – bëhet e ditur tutje.

Reagime rreth këtij vendimi menjëherë ka pasur edhe nga opozita, ku kreu i PDK-së, Memli Krasniqi se është vendim i papranueshëm, i rrezikshëm e i paligjshëm.

“Kjo Qeveri e ka humbur rrugën! Nga panika, çdo ditë e më shumë po zhytet në llumin e vendimeve ta padinjitetshme dhe me tendenca diktatoriale. Prandaj, sot, jemi të gjithë të bashkuar kundër këtij vendimi autoritar dhe në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe medias së lirë.” – ka thënë ai.

Në fund, Krasniqi ka shkruar se “diktatura nuk kalon”.

Ndërsa analisti Imer Mushkolaj ka thënë se ky është sulm brutal dhe i paprecedentë ndaj mediave.

“Solidarizim, jo nënshtrim!” – ka shkruar tutje ai.

Të ngjashme