Lajme
Po e menaxhon Ministrinë nga Amerika, Latifi i përgjigjet Zemajt në Komision
Demokracia
14:39 | 08 Qershor 2022

Share:

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i është përgjigjur akuzave se po e menaxhon shëndetësinë nga Amerika gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi.

Ai i tha deputetit Armend Zemaj se kjo s’është e vërtetë dhe me humor tha se po ta menaxhonte nga atje, ndoshta do ta bënte në një mënyrë amerikane.

“Shumë herë po më thua që po e menaxhoj shëndetësinë prej Amerikës. Nëse do ta kisha menaxhuar prej Amerikës do të kishte qenë në gjendje më të mirë, se do të kisha menduar si amerikan. Ajo nuk është e vërtetë fare”.

“S’thashë unë, po thonë krejt”, ishte përgjigjja e Zemajt.

Ndërkaq, Latifi e tregoi edhe arsyen se pse iu desh të kthehej në SHBA herën e parë pasi mori postin e të parit të shëndetësisë.

“Kam qenë kryeshef i kirurgjisë për 10 spitale, me kontratë më është dashur me i dhënë gjashtë muaj kohë spitalit tim për të më zëvendësuar. Unë kam ardhur brenda dite këtu. I kam pasë më shumë se 500 pacientë që është dashur me ia gjet vendin. Herën e parë kur kam shkuar në Amerikë kam shkuar për këtë dhe kam qëndruar një javë ditë, sikurse ju që keni shkuar në pushim dimëror, unë veç e kam kaluar Atlantikun. Herën e dytë kur kam shkuar në Amerikë, kam shkuar në vizitë zyrtare, për të cilën mund të flasim meqë është pjesë e programit për bashkëpunim ndërkombëtar”.

Ai foli edhe për vizitën që e pati me kryeministrin Kurti, për të cilën tha se do të prodhojë një marrëveshje me një universitet të famshëm.

“Bashkë me kryeministrin jemi takuar me universitetin Touro, ndër universitetet më të famshme në SHBA, që do ta nënshkruajmë marrëveshjen shumë shpejt”.

Të ngjashme