Kombëtarja e Kosovës ka pasur një paraqitje zhgënjyese të mërkurën në përballje me Jordaninë në miqësoren që u zhvillua në “Fadil Vokrri”.
Dardanët për herë të parë në bankinë kishin trajnerin Primozh Gliha që e zëvendësoi të shkarkuarin Bernard Challandes, shkruan Demokracia.com
Gliha u mundua të fus disa skema të reja nëndeshje, duke e ndryshuar sistemin për të luajtur me 3 qendërmbrojtës, Rrahmanin, Kryeziun e Fazlijin, derisa në krah ishin të zakonshmit Aliti e Vojvoda, por ja që as kjo nuk funksioni si duhet, pasi Kosova pësoi dy gola dhe nuk shënoi asnjë për të pësuar një humbje të dhimbshme.
Trajneri i njohur, Arsim Plepolli ka thënë se çdo trajner i ri që vjen, mundohet të sjellë risi, derisa taktika e Glihas përkundër që krijoi disa raste nuk doli si shumë e saktë.
“Çdo trajner i ri donë me fut diçka të re. Edhe Gliha u mundua me një skemë tjetër, shanse patëm por nuk ja doli”, ka thënë fillimisht Plepolli për Demokracia.com, duke shtuar:
“Mendoj që e mira është se kemi edhe një ndeshje me Greqinë dhe shpresoj që FFK do mendojë mirë që të sjellin një trajner autoritativ”, ka përfunduar Plepolli.
Kosova të dielën nga ora 20:45 do të zhvillojë ndeshjen e fundit për këtë vit, ku përballet me Greqinë në kuadër të eliminatoreve për Botërorin 2022. /Demokracia.com