Presidenti i Rayo Vallecano raportohet se është përleshur me agjentin e një futbollisti gjatë negociatave për një transferim të mundshëm.
Klubi madrilen ishte në bisedime për transferimin e sulmuesit të Espanyolit, Raul de Tomas, në afatin kalimtar të verës.
Gjatë diskutimeve, kur ishte fjala për tarifën e transferimit, raportohet se pati një sherr.
Presidenti i Rayo Vallecanos, Martin Presa, ka pohuar se ai u sulmua dhe u shtrua në spital nga një agjent futbolli, derisa ai po negocionte rreth një marrëveshjeje të mundshme, kanë thënë burimet për “ESPN”.
Presa thuhet ka ngritur akuza kundër Ivan Garcias, i cili punon për agjencinë “ICM Stellar”, për goditjen me kokë gjatë një takimi në Madrid, në muajin gusht.
Në raportin e policisë, i cili u zbulua për herë të parë nga “COPE” të premten, Presa tha se gjërat u bënë të shëmtuara kur ai akuzoi agjencinë për dëmtim të interesave të futbollistëve të tyre.
Presa pretendon se Stellar donte përqindje nga marrëveshja, të cilën ai nuk ishte i gatshëm ta paguante sepse nuk i kishte kontraktuar ata për të luajtur ndonjë rol në operacionin për transferimin e Raul de Tomas.
Në atë moment dyshohet se Garcia, një nga shtatë personat e pranishëm në takim, doli përpara dhe “papritur dhe dhunshëm” sulmoi të parin e Rayos.
Pasi mori ndihmë mjekësore në spital, Martin Presa u lirua për në shtëpi pasi u konfirmua se hunda e tij nuk ishte e thyer. /Gazeta Express/