Lajme
Plani i ri i normalizimit mbahet i fshehur, Vuçiq: Ma kërkuan njohjen e Kosovës
Demokracia
20:20 | 22 Tetor 2023

Share:

Pesë emisarët euro-amerikanë, në Kosovë dhe Serbi sollën një plan të ri për normalizimin e raporteve.

Për planin, nuk dha shumë detaje emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajcak, i cili ishte i vetmi që foli pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti.

Ndonëse detaje nuk u zbuluan, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar për mediat në serbi se pesëshja e emisarëve atij i shkuan në zyrë me një kërkesë të qartë.

“Në një kuptim strategjik, qëllimi i vetëm i tyre është që ta njohim Kosovën. Natyrisht, gjithçka për Kosovën e Metohinë për ne është shumë e vështirë. Njerëzit mendojnë se e gjithë kjo është vetëm për shkak të Banjskës, por nuk është. Ajo ishte vetëm taktikisht e tmerrshme për ne dhe ka pasoja të caktuara”, ka thënë Aleksandar Vuçiq – President i Serbisë.

Dialogu, sipas Presidentit serb pritet të rinis në fund të javës së ardhshme.

Megjithatë, fjalëve të tij nuk u beson analisti kosovar, Gazmir Raci.

“Ai tashmë po mundohet me e shfrytëzu gjendjen e re të krijuar për shkak të zgjedhjeve të mundshme të parakohshme që mund të shpallen në Serbi. Andaj, çfarëdo që thotë ai nuk e marrë të mirëqenë, por do të duhej që nga ana e ndërmjetësve të kishte më shumë transparencë se për çka u fol dhe si e shohin ata përfundimin e dialogut për shkak të sulmit të fundit terrorist”, ka shtuar Gazmir Raci – Analist.

E ndërkombëtarët që qëndruan në Kosovë e Serbi të shtunën, sipas ekspertit të sigurisë, Ilir Kulla, po e tolerojnë shumë Beogradin zyrtar.

Kulla: Masat ndaj Kosovës janë absurde, BE-ja ka mungesë konsensusi ndaj Serbisë

“Çështja e funksionimit të Bashkimit Evropian është një çështje ekuilibrash. Bashkimi Evropian funksionon me konsensus në vendimmarrje, ky konsensus mungon jo vetëm për çështjen ndaj Serbisë por edhe për shumë çështje tjera. Ajo që më shqetëson më shumë është që BE-ja, ato pesë vende nuk vazhdojnë më tej në mënyrën e Kosovës, përsa i përket Serbisë mendoj që opinioni publik e ka të qartë se për çka bëhet fjalë”, ka shtuar Ilir Kulla – Ekspert i sigurisë.

Një ndër kërkesat kryesore të pesëshes së emisarëve, ishte themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Për Kullën e Rracin, Asociacioni mund të themelohet vetëm kur plotësohen disa kushte.

Kulla: Serbia përdorë Asociacionin për të formuar një shtet serb brenda Kosovës

“Asociacioni ka vetëm një formulë, asociacioni kundër njohjes. Pra në momentin që më jep njohjen unë të jap asociacionin. Përderisa nuk më jep njohjen dhe përdor asociacionin për të futur, për të krijuar një shtet serb në Kosovë, nuk ka arsye pse të ekzistoj ky Asiosacion”, thotë Kulla.

“Për Kosovën është interes që fillimisht të normalizohen raportet me Serbinë, siç janë njohja e kufirit nga ana e Serbisë, njohja e sovranitetit, njohja e integritetit, njohja e dokumenteve, mospengimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe më pastaj ne mund të flasim për një asociacion të komunave me shumicë serbe sipas marrëveshjes së vitit 2013”, ka shtuar Gazmir Raci – Analist.

Përkundër mungesës së detajeve për publikun, kryeministri Albin Kurti e ka mirëpritur planin e ri për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili iu soll në zyrë të shtunën.

Të ngjashme