OpEd
“Plani A” i Putin në Ukrainë ka dështuar
Demokracia
13:03 | 18 Prill 2022

Share:

Nga Fareed Zakaria “Washington Post”

Reagimi kurajoz dhe i shkëlqyer e Ukrainës ndaj sulmit të Rusisë, por lavdërohet me të drejtë në mbarë botën. Por ai mund të lihet në hije nga një rrezik në rritje. Ndërsa sulmi ndaj Kievit dhe rajonit përreth kryeqytetit ukrainas ka dështuar, strategjia e Moskës në jug dhe lindje të Ukrainës mund të ketë sukses.

Në rast se ndodh kjo, Rusia do ta kthejë Ukrainën në një shtet të gjymtuar ekonomikisht, pa dalje në det dhe të kërcënuar nga të tria anët nga fuqia ushtarake ruse, dhe duke qenë gjithmonë e frikësuar nga një inkursioni tjetër i Moskës në të ardhmen.

Prandaj Ukraina ka nevojë për shumë më tepër ndihmë ushtarake nga Perëndimi, për të garantuar që të mos ndodhë ky skenar që do të kishte pasoja katastrofike për këtë vend.

Siç e theksoi me të drejtë Çan Kasapoglu, studiues dhe strateg ushtarak, që javët e para të luftës në një ese për Institutin Hadson, në Ukrainë po zhvillohen dy luftëra të dallueshme, një në veri dhe një në jug, dhe kjo e fundit ka qenë “dukshëm më e suksesshme” për Moskën. Rusia ka qenë në gjendje që të zhvendosë forcat dhe burimet nga bazat e saj në Krime, dhe të pushtojë qytetet Melitopol dhe Kerson. Tani Mariupoli është i rrethuar dhe i pushtuar në pjesën më të madhe nga trupat ruse, dhe forcat ukrainase të bllokuara atje nuk mund të ri-furnizohen.

Qasja e Ukrainës në Detin Azov është e bllokuar dhe Kasapoglu nënvizon faktin se forcat ruse kanë krijuar një korridor tokësor nga Krimea deri në Donbas. Ndërkaq, ata po përpiqen  të lëvizin më në perëndim, nga Kerson në Odesa. Odesa është çmimi që synohet.

Si porti kryesor nga i cili Ukraina bën tregti me botën, ai është qyteti më i rëndësishëm për Ukrainën në aspektin ekonomik. Po ashtu është një qytet që bart një peshë të madhe simbolike. Në vitin 1905 atje shpërtheu një kryengritje në anijen luftarake Potemkin, e cila shënoi fillimin e telasheve për Rusinë cariste.

Në rast se do të binte Odesa, Ukraina do të ishte praktikisht pa dalje në det, dhe Deti i Zi do të bëhej në thelb një liqen rus, gjë që pothuajse me siguri do ta tundonte Moskën të shtrinte fuqinë e saj ushtarake deri në Moldavi, e cila ka në lindje nj rajon separatist të mbushur me shumë rusisht-folës, Transnistria.

Presidenti rus Vladimir Putin mund ta paraqesë këtë rezultat si një fitore madhështore, duke i çliruar rusisht-folësit, duke fituar kontrollin e qyteteve dhe porteve kyçe, si dhe duke e shndërruar Ukrainën në një shtet vasal të paqëndrueshëm. Kjo nuk duhet të ndodhë, dhe ukrainasit po luftojnë ashpër për ta parandaluar këtë skenar.

Në lindje të Ukrainës, rusët po përpiqen të avancojnë nga Kersoni, përmes qytetit të Mikolaiv, por ata po pengohen për shkak të guximit të jashtëzakonshëm të banorëve të qytetit, të cilët thuhet se kanë hedhur në erë urën që lidh qytetin me Odesës dhe kanë bllokuar linjën hekurudhore.

Këtë javë, forcat ukrainase pretenduan se ishin në gjendje të dislokonin raketat e tyre të pa përdorura më parë Neptun, dhe të fundosnin kryqëzorin rus “Moskva”. Megjithatë, është e rëndësishme të mos harrohet se përpara pushtimit, Rusia kishte një avantazh në raportin 10 me 1 në shpenzimet e mbrojtjes ndaj Ukrainës, dhe Putini duket i vendosur të vazhdojë luftën pa marrë parasysh kostot.

Çfarë mund të bëjnë në këto kushte Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi? Shumë më tepër nga gjithçka që po bëjnë deri tani. Ukraina ka nevojë për më shumë armë, sidomos për ato që i japin asaj një fuqi luftarake asimetrike.

Gjenerali në pension Mark Hertling, që ka qenë shumë largpamës në diagnostikimin e dobësive të Rusisë dhe të pikave të forta të Ukrainës, më shpjegoi se Ukraina ka nevojë për më shumë pajisje që e lejojnë atë të manovrojë me shpejtësi rreth forcave të ngurta të Rusisë. Kjo do të thotë ndihmë në helikopterë, në blindat “Humvee” të armatosur, në sisteme raketore me shumë lëshime të një kobshme dhe dronë të çdo lloji. Dronët turq janë dëshmuar të jenë një armë shumë efektive në këtë konflikt.

Hertling kërkon që Ukrainës t’i jepen më shumë nga këta lloj dronësh, por edhe dronët amerikanë “kamikazë”, si dhe dronët që mbledhin të dhënat për shërbimet sekrete. Marina ruse, e cila është grumbulluar në ujërat e Detin e Zi, vazhdon që të përbëjë një rrezik të madh për Odesën, duke kërcënuar ose ta rrethojë atë ose të nisë një zbarkim amfib prapa linjave mbrojtëse të Ukrainës. Pavarësisht suksesit të supozuar të raketave Neptun, Ukraina nuk ka kapacitetin për ta ndalur e vetme marinën ruse.

NATO duhet të marrë në konsideratë të bëjë diçka të ngjashme me atë që bëri gjatë luftërave ballkanike në vitet 1990. Ajo duhet të vendosë dhe zbatojë një embargo rreth atyre ujërave, duke parandaluar hyrjen e trupave ruse për të sulmuar qytetet e Ukrainës apo për të ri-furnizuar forcat ruse.

Anijet e NATO-s do të operojnë që nga ujërat ndërkombëtare, duke lëshuar një sinjal për çdo anije ruse se forcat e aleancës janë aktive në zonë, dhe t’i paralajmërojnë ato që të mos zbarkojnë në brigjet ukrainase, shkruan CNA.

Admirali në pension, Xhejm Stavridhis, ish-komandanti suprem i aleatëve të NATO-s, i mbështet veprimet që ka ndërmarrë administrata Bajden. Por ai kërkon një përgjigje më agresive nga Perëndimi në të gjitha frontet. Jepini Ukrainës avionë luftarakë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, shkroi ai në Twitter, dhe ndihmojeni atë me sulme kibernetike.

“Po ashtu jepini raketa anti-anije për të mbytur anijet ruse në Detin e Zi”- shtoi ai.

Që nga pushtimi Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë rreth 16 miliardë dollarë ndihmë Ukrainës. Ndërkohë, bota pritet që t’i paguajë këtë vit Rusisë 320 miliardë dollarë për energjinë e saj. Sanksionet ekonomike nuk do ta detyrojnë Putinin që t’i japë fund luftës për sa kohë që ekziston ky boshllëk. Presioni i vetëm që do ta detyronte Rusinë të ulej në tryezën e negociatave është humbja ushtarake në jug. Plani A i Putinit dështoi, por ne nuk mund ta lejojmë që të ketë sukses plani i tij B.

Të ngjashme
OpEd • 30 Qershor 2024
OpEd • 28 Qershor 2024