Lajme
Planet e Greqisë “zgjojnë” çështjen e detit me Shqipërinë
Demokracia
08:23 | 21 Prill 2025

Share:

Komisioni Evropian, në një reagim për Albanian Post, ka pranuar se nuk ka marrë ende një njoftim nga autoritetet helene.

Greqia ka paraqitur gjatë javës plane në Bashkimin Evropian, duke përcaktuar se si do të organizojë aktivitetet detare si peshkimi, turizmi dhe energjia në det të hapur pas vitesh vonesa që tërhoqën qortime nga Komisioni Evropian.

Në shkurt, Gjykata e Drejtësisë së BE-së vendosi se Greqia kishte shkelur rregulloret e BE-së duke dështuar në hartimin e një plani hapësinor detar deri në mars të vitit 2021.

Planet hapësinore detare përcaktojnë se ku mund të zhvillohen aktivitetet duke përfshirë peshkimin, transportin detar, turizmin, kulturën ujore dhe projektet e energjisë së rinovueshme.

Qeveria greke tha të mërkurën se plani i saj ishte dorëzuar në Bruksel. Athina i ka atribuar vonesat për arsye të ndryshme, duke përfshirë vijën e saj të gjatë bregdetare, ishujt e shumtë dhe kushtet gjeopolitike në Mesdheun lindor.

Autoritetet helene deklaruan se harta që përshkruan planin e tyre hapësinor detar nuk përcakton asnjë zonë ekonomike ekskluzive, e cila krijohet përmes marrëveshjeve dypalëshe.

Ky zhvillim sjell në vëmendje njëkohësisht mungesën e marrëveshjes midis Greqisë dhe Shqipërisë për çështjen e delimitimit të kufirit detar, e cila pritej të realizohej me ndërmjetësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Për këtë ngjarje reagoi edhe ish-ligjvënësi Osman Metalla, i cili iu referua hartës së publikuar nga Athina zyrtare.

“Ajo që bie në sy në këtë dokument është harta bashkëlidhur, e cila, në paraqitjen e kufijve detarë (detit territorial dhe shelfit kontinental), pasqyron në mënyrë të plotë pretendimet e Greqisë në raport me delimitimin e hapësirave detare me Republikën e Shqipërisë”, shkruan Metalla në median sociale “Facebook”.

Sipas ekspertit shqiptar, paraqitja e një harte të tillë përbën “një shkelje të Konventës dhe njëkohësisht dëmton interesat e Republikës së Shqipërisë në arritjen e një marrëveshjeje të drejtë dhe të ndershme, ashtu siç parashikohet nga Konventa”.

Komisioni Evropian, në një reagim për Albanian Post, ka pranuar se nuk ka marrë ende një njoftim nga autoritetet helene.

“Komisioni merr parasysh deklaratën e ministrave grekë dhe hartën e publikuar, e cila përcakton zonën për planifikimin hapësinor detar në ujërat greke. Komisioni nuk ka marrë asnjë njoftim nga autoritetet greke, siç kërkohet me Direktivën e Planifikimit Hapësinor Detar. Pasi Komisioni të ketë marrë një njoftim të tillë, ai do të analizojë përmbajtjen e tij dhe do të vlerësojë nëse Greqia i përmbush detyrimet e saj, në përputhje me vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, theksoi Brukseli zyrtar për AP-në.

Marrëveshja e 2009-ës

Pas thuajse 50 vjetësh diktaturë, çështja e kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë, ishte e pazgjidhur. Madje, tërësisht e patrajtuar.

Por ajo gjeti shtigje hapëse me fillimin e epokës demokratike në Shqipëri.

Viti 2009, do të ishte pikërisht përcaktues për këtë çështje.

Një marrëveshje mes Shqipërisë, të drejtuar asokohe nga Sali Berisha dhe Greqisë, të drejtuar nga Kostas Karamanlis, u arrit mbi shelfin kontinental dhe zonat e tjera detare, të cilat u përkasin sipas të drejtës ndërkombëtare.

Në bazë të kësaj të fundit, çdo shtet ka të drejtë të zgjerohet deri në një kufi prej 12 miljesh nga skaji i hapësirës së fundit tokësore që zë.

Nënshkrimi i marrëveshjes së detit, 2009

Mirëpo, marrëveshja e arritur mes dy vendeve, u denoncua menjëherë nga Partia Socialiste, opozitare asokohe.

Akuzat do të arrinin deri aty sa Qeveria të përshkruhej si “shitëse e detit”.

Ato, përtej kryeministrit Berisha, do të rëndonin veçanërisht edhe tek ministri i Jashtëm, Lulzim Basha.

Në pretendimin ligjor të socialistëve konkretisht, arsyet ishin të lidhura ngushtësisht me dy faktorë.

I pari, ishte vija nga ku niste matja. Kjo, për shkak se ngushtica jugore mes dy vendeve, është mjaft e vogël dhe në të tillë mënyrë, Greqia kishte mundësi të shfrytëzonte nenin e konventës, duke hyrë në kufijtë e zonave ekonomike ekskluzive të Shqipërisë.

Aspekti i dytë, ishte mënyra si negociatat ishin zhvilluar. Një mënyrë, tërësisht e fshehtë!

Matja e pretenduar nga Greqia prej ishullit të Korfuzit, ishte e papranueshme sipas opozitës së atëhershme.

Për këtë shkak, çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese.

Marrëveshja “nul”

Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, do të shpallte juridikisht të pavlefshëm dhe antikushtetues, akordin e arritur mes Shqipërisë dhe Greqisë, për përcaktimin e kufijve detarë.

Delimitimi i zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare, ishte i pavlefshëm.

Ato çfarë Kushtetuesja kishte vërejtur parësisht, ishin shkelje procedurale dhe substanciale, të cilat binin ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë. Por jo vetëm kaq.

Zona e delimitimit për marrëveshjen e detit

Në bazë të arsyetimit, ato binin ndesh edhe me Konventën e Tretë Ndërkombëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të drejtën e detit, e vitit 1982.

Ndër konkluzionet e Kushtetueses, ishte edhe thyerja e atij që njihet si parimi i “Equity” ose i shqipëruar, i barazisë. Pra, ndarja duhet të jetë sa më e barabartë për çdo shtet.

Në rastin e Shqipërisë dhe Greqisë, ky parim nuk ishte zbatuar. Kjo, pasi prekeshin zonat ekskluzive ekonomike.

“Refresh”

Pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Rama, mbi çështjen e detit do të binte një heshtje. Për të nuk do të flitej më deri në prill të vitit 2018. Asokohe, Shqipëria rifilloi bisedimet zyrtarisht me Greqinë.

Gjërat kishin ndryshuar. Shteti helen tashmë, drejtohej nga Alexis Tsipras.

Sakaq, rasti i 2009-ës, ende ishte i freskët në kujtesë. Ndaj, aktorët e ndryshëm, nuk lejuan që historia të përsëritej.

Një grup pune i posaçëm vetëm për bisedimet e detit, u ngrit nga të dy palët.

Shqyrtimi rifilloi dhe avancimet mbi detin bëheshin herë pas here publike. Objektet e bisedimeve, po ashtu.

Imazh nga raundi i dytë i bisedimeve Shqipëri-Greqi, për çështjen e detit

Qëllimi i palës greke vijonte të mbetej i qartë: Zgjerimi me 12 milje, sipas Konventës Ndërkombëtare.

Mirëpo, këto 12 milje, do të ishin në dëm të Shqipërisë, ashtu si pati argumentuar edhe Kushtetuesja në vitin 2010.

Për këtë fakt, pala shqiptare solli në pah se aplikimi i 12 miljeve, mund të bëhej vetëm aty ku ishte e mundur.

Pala greke nuk e pranoi qasjen dhe bisedimet u prishën. Tym të bardhë mbi detin, nuk kishte sërish.

Konventë Ndërkombëtare – Gjykatë Ndërkombëtare

Pas dështimit të bisedimeve, veç një rrugë kishte mbetur për Shqipërinë dhe Greqinë, për të zgjidhur përfundimisht çështjen e detit.

Të dyja vendet, ishin dakordësuar se ajo do të shkonte në gjykata ndërkombëtare për t’u zgjidhur. Konkretisht, në atë të Hagës.

Por, më 20 janar 2021, Greqia do të vendoste të miratonte në Parlament projektligjin e zgjerimit me 12 milje në detin Jon.

Reagimi ishte i menjëhershëm nga të gjitha palët. Sipas Qeverisë shqiptare, ishte në të drejtën sovrane të Greqisë, ta ndërmerrte aktin.

Mbi të gjitha, zgjerimi i tyre nuk e prekte tokën shqiptare.

Nga ana tjetër, opozita akuzonte se grekët, ishin futur në zonën e të drejtës ekskluzive ekonomike.

14 qershori i vitit 2021, do të zhurmonte me një lajm, këtë herë nga Brukseli.

Disa media greke, raportuan se gjatë Samitit të NATO-s, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai grek, Kyriakos Mitsokatis, kishin “shtrënguar duart” për detajet e fundit të marrëveshjes detare.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në Samitin e NATO-s

Albanian Post u interesua asokohe menjëherë për çështjen.

Nga zyra e kryeministrisë shqiptare, qëndrimi ishte i qartë: Nuk ka marrëveshje.

Gjithçka, ashtu si e akorduar, do t’i mbetej Hagës fjala e fundit.

Të ngjashme