Ushtruesja e Detyrës së Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Luljeta Plakolli-Kasumi, ka sqaruar çështjen e nënshkrimit të diplomës së doktoraturës së saj, pas publikimit të Demokracia.com, ku ajo shihej e pavulosur dhe e panënshkruar nga rektori Naser Sahiti.
Ndonëse para publikimit të artikullit, Demokracia.com kishte tentuar të kontaktojë disa herë me u.d. rektoren Plakolli-Kasumi, ajo tek në orët e mbrëmjes u është përgjigjur pyetjeve të drejtuara për të.
Plakolli-Kasumi në një përgjigje për Demokracia.com ka thënë se nënshkrimi i diplomave merr kohë dhe se ka shumë raste të tjera.
“Kërkoj falje për përgjigjen e vonuar, por isha me shumë angazhime sot. Po, normalisht që është e nënshkruar nga rektori dhe e vulosur. Mbrojtjen e kam pas më 19 korrik 2021. Pas një jave i tërë Universiteti ka shkuar në pushim kolektiv deri në fund të gushtit dhe pastaj deri sa i ka ardhe radha diplomës time. Këto marrin kohë pak dhe nuk është rasti vetëm me diplomën time, mund ta konfirmoni me të gjitha diplomat tjera. Janë procedura administrative. Diplomën e kam marrë në tetor 2021.”, ka sqaruar Plakolli-Kasumi për Demokracia.com.
Plakolli-Kasumi, po ashtu, ia ka dërguar redaksisë si dëshmi edhe diplomën e saj të nënshkruar, e cila është lëshuar më 20 tetor 2021, ndërsa mbrojtjen ajo e kishte bërë më datën 19 korrik. /Demokracia.com/