Lajme
Plagosen dy persona në automjetin që po kryente transportin e parave
Demokracia
18:29 | 08 Mars 2021
Ilustrim

Share:

Në rrugën e liqenit të Badocit janë plagosur dy persona në automjetin që po kryente transportin e parave.

Pasditen e së hënës ka ndodhur një tentimvrasje në rrugën e liqenit të Banocit me ç’rast kanë mbetur të plagosur dy persona.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, ka bërë të ditur për Demokracia.com se rasti ka ndodhur rreth orës 16:45, ku persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës që po kryente transportin e parave.

“Rreth orës 16:45 policia ka marrë informatën për një tentim grabitje të armatosur në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan. Menjëherë pas informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore. Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se persona të dyshuar në rrethana që aktualisht po trajtohen nga policia kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit që po kryente transportin e parave”, ka thënë Ahmeti për Demokracia.com.

Tutje ajo ka thënë se nga ky incident kanë mbetur të plagosur dy persona të cilët edhe janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, përderisa të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.

“Për pasojë dy persona pjesë e kompanisë që po kryente transportin janë plagosur dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Të dyshuarit nuk kanë arritur të kryejnë grabitjen por si e tillë ka mbetur në tentativë, dhe të njëjtit kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Policia ka filluar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e tyre dhe identifikimin e te implikuarve”, ka thënë Ahmeti. /Demokracia.com/

Të ngjashme