Lajme
Pjesëtarët e SHKK-së takohen me Hotin
Demokracia
12:33 | 01 Mars 2021

Share:

Pjesëtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), kanë protestuar para ndërtesës së qeverisë për mosdhënien e mjeteve prej 100 euro sipas ligjit për luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19.

Dhjetëra pjesëtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës pasi që prej dy muajsh ata nuk i kanë marrë shtesat prej 100 euro mbi pagën bazë sipas ligjit për luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19, raporton Demokracia.com.

Pjesëtarët e SHKK-së, deklaruan se sindikata nuk mbajti premtimin që SHKK të përfshihet në shtesat mbi pagën bazë sipas ligjit për luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19.

Disa pjesëtarë të SHKK-së, tashmë kanë shkuar në takim me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti dhe pas këtij takimi pritet të ketë edhe deklarim për medie, raporton më tutje Demokracia.com.

Theksojmë se janë gjithsej 1 mijë e 627 policë të Shërbimit Korrektues të Kosovës të cilët presin që t’i marrin nga 100 euro për dy muaj.

Ndryshe në njoftimin paraprak të bërë nga kjo sindikatë u tha se stafi i SHKK-së është në vijën e parë të luftimit të pandemisë COVID-19 si dhe i plotëson të gjitha kriteret e parapara me ligj në bazë të nenit 20 pika 1 dhe 2 ku përcaktohet kompensimi dhe në bazë të nenit 12 pika 1.4 izolimi, pika 1.5 transporti, pika 1.7 trajtimi dhe shërbimi i të sëmurëve nga COVID-19 si dhe pika 1.9 mbikëqyrja shëndetësore e personave të infektuar me koronavirus. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 08 Shtator 2024