Lajme
Pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës nisin të grumbullohen për protestë-FOTO
Demokracia
11:59 | 09 Dhjetor 2023

Share:

Njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës, përfshirë këtu njësitë speciale, hetues të departamenteve të ndryshme janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” për të protestuar në lidhje me kërkesat e tyre të kategorizimit të shtesave dhe rrezikshmërinë.

Pjesë e kësaj proteste është edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.

Ekipi i KALLXO.com po përcjellë nga afër këtë protestë të lajmëruar nga njësitet policore speciale.

Kjo është protesta e dytë e organizuar për të kërkuar nga Qeveria e Kosovës plotësimin e kërkesave të rrezikshmërisë dhe shtesave të tjera.

Protestave Njësive Speciale, Foto:Adelina Ahmeti, KALLXO.com

Një nga protestat që ishte organizuar muajin e kaluar ishte anuluar për shkak se Kryeministri Albin Kurti kishte pranuar takim me pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese.

Më 15 nëntor u takuan Kryeministri Kurti, Ministri Xhelal Sveçla si dhe Ministri i Financave Hekuran Murati me disa pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese.

Takimi përfundoi pa ndonjë marrëveshje në lidhje me kërkesat e pjesëtarëve të NJSI-së.

Në protestën e sotme përveç pjesëtarëve të NJSI dhe Njësisë për trajtimin e Mjeteve Eksplozive janë parë edhe policë të njësive të tjera.

Të ngjashme