Lajme
Pilotët e Lufthansës përfundojnë grevën
Demokracia
23:41 | 03 Shtator 2022

Share:

Fluturime të anuluara, check-in të zbrazur, radhë të gjata në sportelet e rezervimit: kjo ishte gjendja e krijuar në disa aeroporte gjermane. Pilotët e kompanisë ajrore, Lufthansa, bënë  të premten, 2.09.2022 një grevë 24-orëshe. 800 fluturime u anuluan 130 mijë pasagjerë ishin të prekur.

Shumica e tyre ishin në dijeni për anulimet, megjithatë në sportelet e shërbimit të Lufthansa-s, kishte radhë të gjata të pasagjerëve të distancave të gjata që shpresonin të fluturonin me linja të tjera.

Sipas sindikatës së pilotëve Vereinigung Cockpit VC, në grevë ishin vetëm fluturimet që niseshin nga Gjermania. Kompanitë bija  të Lufthansës, Eurowings, Lufthansa Cityline dhe Eurowings Discover nuk u prekën nga greva.

Çfarë kërkojnë pilotët

5 000 kapitenët dhe ndihmës pilotët e kompanisë më të madhe ajrore gjermane kërkojnë 5,5 për qind rritje page qysh këtë vit,  si edhe duke filluar nga viti i ardhshëm rritje automatike të pagës në përputhje me inflacionin. Veç të tjerash, ata kërkojnë më shumë para për ditë sëmundjeje, pushime apo trajnime.

Pilotët kërkojnë edhe më shumë ndikim në politikat e kompanisë. Sindikata e tyre Vereinigung Cockpit kishte mare si premtim nga  drejtuesit e kompanisë para shumë vitesh se do t’u garantoheshin 325 avionë, që do të drejtoheshin vetëm prej 5 000 pilotëve e Lufthansës. Por bordi drejtues i  Lufthansës, i shtrënguar nga kriza e koronës, e kishte thyer këtë premtim duke krijuar një kompani të re ajrore bijë, Cityline 2.0, e cila merr përsipër një numër shumë të madh fluturimesh në Evropë.

Pak mirëkuptim për grevën

Greva e pilotëve përkoi me të  ditët e fundit të pushimeve verore në tre lande të Gjermanisë, Hessen, ku është edhe aeroporti i Frankfurtit (Main), më i madhi i Gjermanisë, Baden Württenberg dhe Saarland. Kryetari i grupit parlamentar më të madh opozitar, CDU/CSU, Friedrich Merz, e kritikoi ashpër grevën e pilotëve. Ai tha se nuk ka mirëkuptim për momentin e grevës, për shkak të gjendjes së tensionuar ekonomike në të cilën ndodhet Gjermania. Ai kërkoi që mosmarrëveshjet të zgjidhen në tryezën e bisedimeve dhe jo në kurriz të udhëtarëve.

Pilotët e Lufthansa-s janë nga më të paguarit në Gjermani, prandaj edhe grevat e pilotëve gjejnë pak mirëkuptim edhe në shoqëri. Paga e tyre vjetore nis nga 63 000 bruto, sipas pilotbildung.net. Pas 8-12 vjetësh përvoje pune paga arrin deri në 110 000 euro/vit dhe shkon deri në 225 000 euro / vit. Sipas anëtarit të bordit të Lufhansës, Michael Niggemann, nëse plotësohen kërkesat e piloteve, kostot e stafit të kabinës do të rriteshin në dy vitet e ardhshme me  40 për qind, përkatësisht 900 milionë euro  Aktualisht ato janë 2,2 miliardë euro. /DW

Të ngjashme