Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, në seancën e së martës, e ka pezulluar procedurën penale ndaj të akuzuarve për lëndim të lehtë trupor, Dardan Kurteshaj dhe Rexhep Bashota.
Një aktvendim të tillë e ka marrë gjykatësi Lulzim Paçarizi, pasi që ndaj të akuzuarve kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me forcë përmes Stacionit Policor në Malishevë, dhe Stacionit Policor në Klinë, mirëpo sipas njoftimeve të policisë të njëjtit gjenden jashtë Kosovës.
“Stacioni Policor në Klinë e ka njoftuar gjykatën përmes emailit zyrtar se i akuzuari Dartan Kurteshaj gjendet në Itali, ndërsa për të akuzuarin Rexhep Bashota Stacioni Policor në Malishevë i ka dërguar njoftim gjykatës se i njëjti gjendet në Gjermani”, tha gjyqtari Paçarizi.
Sipas gjykatësit Paçarizi, shqyrtimi do të vazhdojë pas sigurimit të prezencës së të akuzuarve, për të cilët gjykata do të lëshojë urdhërarrest, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se më 28 dhjetor 2019, në stacionin e autobusëve në Malishevë, të akuzuarit Dardan Kurteshaj dhe Rexhep Bashota, në bashkëkryerje me njëri tjetrin i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtarit, të mitur D.M.
Sipas aktakuzës, i dëmtuari D.M, disa ditë më parë, para datës kritike kishte disa mosmarrëveshje me të akuzuarin Kurteshaj, duke e ofenduar njëri tjetrin në rrjetin social “Instgram”.
Në aktin akuzues thuhet se pas mosmarrëveshjes, në ditën kritike derisa i dëmtuari zbret nga autobusi në stacionin e autobusëve në Malishevë të akuzuarit i afrohen të dëmtuarit, ku fillimisht fjalosen dhe pastaj e sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të kokës dhe trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, të konstatuara edhe nga ekspertiza mjekoligjore,
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Kurteshaj dhe Bashota po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 3, nën paragraf 3.1, lidhur me paragrafin 1, nën paragraf 1.4, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. Kjo vepër dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në tre vjet./BetimipërDrejtësi