Mesfushori shqiptar, Taulant Xhaka është sanksionuar me një ndeshje pezullim, një gjobë me para dhe shërbim ndaj komunitetit në dobi të futbollit për sjelljen dhe komentet e tij të papërshtatshme gjatë festimeve të titullit të FC Basel në Barfüsserplatz.
Xhaka filloi një këngë urrejtjeje, ku ndër tjerash thuhej “Vdekje dhe urrejtje për FCZ”, gjatë festës së titullit me tifozët e Baselit, duke bërë që ai të hyj në procedurë për dënime.
Sot (e premte), Liga Zvicerane e Futbollit ka njoftuar se ka marrë tashmë vendim, ku Xhaka është dënuar me pezullim, gjoba dhe shërbim ndaj komunitetit.
“Të hënën, Liga Zvicerane e Futbollit (SFL) hapi procedura disiplinore kundër Taulant Xhakës pasi lojtari i FC Basel 1893 bëri komente përçmuese për klubet e tjera përmes mikrofonit gjatë festimeve spontane të kampionatit në Barfüsserplatz të dielën në mbrëmje”, thuhet fillimisht në njoftim.
“Në vendimin e tij, Presidenti i Komitetit Disiplinor, duke vepruar si gjyqtar i vetëm, vendosi një sanksion të trefishtë ndaj mesfushorit të Bazelit: një pezullim me një ndeshje, i cili hyn në fuqi menjëherë nëse FC Basel heq dorë zyrtarisht nga e drejta e tij për apelim, një gjobë prej 7,500 frangash dhe 18 orë shërbim për komunitetin në dobi të futbollit. Kjo duhet të bëhet brenda gjashtë muajve në konsultim me zyrën e SFL-së”, mbyllet njoftimi i SFL-së.
Përveç kërkimfaljeve të paraqitura, gjyqtari i vetëm mori parasysh edhe daljen e paralajmëruar në pension të Taulant Xhakës në vendimin e tij. Në të njëjtën kohë, megjithatë, gjyqtari theksoi:
“Dënimi duhet të kombinohet me një gjobë më të lartë dhe detyrimin për të kryer punë bamirësie në dobi të futbollit. Kjo është për të kompensuar ndikimin negativ që sjellja e tij pati në publik”, ka thënë gjyqtari.
Ndalimi me një ndeshje do ta përjashtoj Xhakën nga ndeshja e kësaj fundjave në udhëtim te Young Boys, por jo edhe nga ndeshja e fundit e sezonit në shtëpi ndaj Luzernit, aty ku mesfushori shqiptar do t’i japë lamtumirën futbollit.
Ndryshe, një ankesë kundër këtij vendimi mund të paraqitet në Gjykatën e Apelit të Ligës Zvicerane të Futbollit brenda pesë ditëve.