Intervista
Petritsch zbulon detaje nga negociatat në Rambouillet me UÇK-në, Rugovën dhe Millosheviqin
Demokracia
17:47 | 23 Qershor 2021

Share:

Wolfgang Petritsch ka karrierë të pasur diplomatike që si diplomat austriak e ka ndërtuar duke kryer detyra të rëndësishme në tërë botën. Një pjesë të karrierës e ka kaluar edhe në Ballkan. Kosova zë një vend të veçantë, sikur që edhe ai zë një vend të veçantë në historinë e vonë të Kosovës, si një prej organizatorëve të konferencës së Rambouillet, në cilësinë e të Dërguarit Special të BE-së. Në një intervistë ekskluzive për Demokracia.com, Petritsch i kujton negociatat me Rugovën në një anë, e me Milosheviqin në anën tjetër; përpjekjet për të fituar besimin e UÇK-së dhe shpresën që megjithatë nuk do të ketë nevojë për bombardime kundër Serbisë.

Për Petritsch, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të thotë normalizim i jetës së qytetarëve të Kosovës, para së gjithash, dhe vëren se reformat në çdo sektor të jetës do të pësojnë nëse vonohet ky normalizim.

Nga BE, Petritsch që të tregojë qartë se Ballkani i përket Europës.

Në ditët kur shënojmë paqen dhe sakrificat për liri, mesazhet nga një mik i cili vazhdon të përcjell zhvillimet në rajon, janë jo vetëm përkujtuese të së kaluarës por edhe instruksione si të kuptohen zhvillimet e sotme në Kosovë, në rajon dhe në botë.

Demokracia.com: Si u lidhët me Ballkanin, çfarë ishte kjo lidhje me rajonin?

Petritsch: Në fakt, unë jam nga një fshat i vogël në pjesën jugore të Austrisë ku ka edhe minoritet slloven. Kufiri me Jugosllavinë e Titos ishte shumë afër. Gjatë krizave të kohës së Luftës së Ftohtë gjithnjë e kishim një ndjenjë të çuditshme se lufta është afër. Por, pasi ne ishim në gjendje që të flisnim sllovenisht me sllovenët në Jugosllavi, ndiheshim më pak të kërcënuar se sa shumë austriakë të tjerë.

Më vonë studiova historinë e Europës Juglindore në Vjenë dhe hulumtimet për doktoratën time i bëra në Jugosllavi. Më 1997 erdha si ambasador në Beograd dhe ndihesha i përgatitur mirë, falë studimeve të mia.

E kisha përcjell nga afër shpërbërjen e Jugosllavisë, luftërat për ndarje në Slloveni, në Kroaci dhe mandej në Bosnjë. E tërë kjo ishte e rëndësishme për punën time të re, atë të Emisarit Special të BE-së për Kosovën.

Së bashku me amerikanët dhe me rusët, unë organizova Misionin Diplomatik Observues të Kosovës (që njihej me akronimin anglisht KDOM) në korrik të 1998 dhe ndërmora “shuttle diplomaci”, pra diplomaci të vajtje-ardhjeve mes Beogradit e Prishtinës së bashku me Chris Hill. Më vonë, ne të dy dhe një diplomat rus, ishim ngarkuar me negociatat në Rambouillet dhe Paris. Do të thosha se ka qenë periudhë jashtëzakonisht stresuese.

Demokracia.com: Ishit ndër diplomatët e fundit që u përpoq të arrinte një marrëveshje paqësore për Kosovën, në mars 1999. Para një kohe, në një shkrim në “Profil” (revistë austriake) e kujtonit se si ishit duke vozitur për në Vjenë, pas përpjekjeve të fundit për të bindur Milosheviqin që të pranojë marrëveshje, dhe si dëgjonit në radio se bombardimet kishin filluar. Si ishte kjo? Çfarë ndjenje ishte kjo?

Petritsch: Isha negociatori i fundit që u largua nga Beogradi. Hill dhe Holbrooke ishin larguar më herët, pasi Milosheviqi refuzonte të vazhdonte të bisedonte me ne. Negociatori rus ishte ftuar të kthehej në Moskë. Kështu që e dija se gjasat që Milosheviqi të pranonte marrëveshjen e paqes – që, siç e dini, ishte nënshkruar dy ditë më herët nga delegacioni kosovar në Paris – tanimë kishin humbur krejtësisht.

Fillova të marr kërcënime anonime dhe m’u desh të vendosi të largohem me ekipin tim të vogël nëpërmjet Hungarisë për në Vjenë. Derisa ende po vozisnim, dëgjuam lajmet se NATO kishte filluar bombardimin e Beogradit. Isha i tronditur pasi disi ende shpresoja se në minutat e fundit do të arrihej ndonjë kompromis.

Demokracia.com: Pra, bombardimeve u parapriu një proces i gjatë politik. Ju ishin pjesë e këtij procesi. Pse nuk rezultoi me një marrëveshje?

Petritsch: Ndërmjetësimi dhe negociatat zgjatën një kohë të gjatë. Kishin filluar nga amerikanët, nga Holbrooke e mandej nga Hill, menjëherë pas masakrës në Prekaz. BE u bashkëngjit pak më vonë. Ishin takime intensive në Beograd dhe Prishtinë, me Milosheviqin dhe ministrat e tij, si dhe me Rugovën, Fehmi Aganin, i cili më vonë u vra mizorisht nga forcat speciale të Beogradit, si dhe me të gjitha partitë tjera politike. U përpoqëm të takonim edhe UÇK-në, por ishte vështirë për shkak të gjendjes së përgjithshme të sigurisë. Prandaj na u desh që së pari të vejmë kanale joformale të komunikimit, që të ndërtojmë mirëbesim. U përpoqëm të përfshijmë lidershipin e UÇK-së në bisedime, por kjo gjithnjë kundërshtohej nga Beogradi. Madje edhe në Rambouillet asnjëherë nuk ka pasur negociata direkte mes Beogradit dhe Prishtinës.

Por, në një nga takimet me UÇK-në, diku në një fshat të vogël në të dalë të Prishtinës, ku po negocionim lirimin e ushtarëve jugosllavë të kapur nga UÇK-ja, e kam takuar për herë të parë Albin Kurtin e ri i cili në heshtje po observonte takimin tonë. Më vonë, kur Kurti ishte burgosur nga Milosheviqi, në emër të BE-së kisha organizuar thirrjet për lirimin e tij.

Pse Milosheviqi refuzoi të nënshkruante marrëveshjen e Rambouillet? Ma merr mendja që ai mendonte se NATO nuk do të hynte në luftë për kosovarët. Ai spekulonte se do të kishte bombardime amerikane për disa ditë e mandej do të ndaleshin. Por, fuqitë perëndimore ishin ende të tronditura nga gjenocidi në Srebrenicë, më 1995, kur NATO kishte reaguar me vonesë. Tani slogani ishte: “Jo edhe një Srebrenicë tjetër!”. Madje edhe Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer, që ishte nga Partia e Gjelbër, e përkrahte intervenimin e NATO-s që me vendosmëri ta ndal makinerinë luftarake të Milosheviqit.

Sigurisht që të gjithë do të ishim më të lumtur sikur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të kishte përkrahur “intervenimin humanitar” në Kosovë, por Moska dhe Pekingu kërcënonin me veto. Prandaj Perëndimi veproi vetëm dhe, siç thonë, pjesa tjetër është histori.

Demokracia.com: Kanë kaluar më shumë se dy dekada prej se ka përfunduar lufta. Kosova është shtet i pavarur për më shumë se një dekadë. Si e shihni Kosovën sot?

Petritsch: Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm. Proceset demokratike funksionojnë dhe kanë rezultuar me ndryshime demokratike në parlament, dhe qeveria e re ka zgjedhur programin e duhur për popullin. Sundimi i ligjit duket të jetë etabluar mirë dhe administrata publike funksionon, përkundër shumë sfidave që mbesin.

Kosova është shtet i ri, me popullatë të re, prandaj jam konfident se dialogu i ndihmuar nga BE do të jap rezultat dhe do të ndihmojë të normalizohen jetët e të gjithë qytetarëve të Kosovës – shqiptarëve, serbëve dhe grupeve tjera që të gjithë janë qytetarë të të njëjtit vend.

Demokracia.com: Kosova dhe Serbia ende janë në kërkim të marrëveshjes për paqe. A është më mirë të shtyhet për më vonë një marrëveshje e vështirë apo të bëhen të gjitha përpjekjet për të arritur marrëveshjen? A është satus-quo-ja e qëndrueshme? A është në interes të Kosovës që të vonohet vendimi? A po punon koha për Kosovën apo jo?

Petritsch: Pas progresit fillestar në procesin e dialogut, që duhet të vlerësohet, kishte një stagnim në dy vitet e fundit. Tani, nën udhëheqjen e politikanit me përvojë, Miroslav Lajçak, jam konfident se bashkëpunimi i ri BE-SHBA do të sjell progres dhe atë shpejtë.

E kuptoj që qeveria duhet të bëjë shumë, veçanërisht në fushën e ekonomisë duke investuar në vende pune të kualifikuara. Investimet e huaja do të vijnë në Kosovë kur drejtësia dhe administrata publike të punojnë më mirë dhe lufta kundër korrupsionit të jetë e suksesshme. Sundimi i ligjit është shtylla e çdo vendi demokratik. Megjithatë, mendoj se është e nevojshme që seriozisht të përfshihet në procesin e rinisur të dialogut. Deri sa nuk arrihet normalizimit, atëherë të gjitha projektet për reforma do të pësojnë.

Demokracia.com: Konteksti ndërkombëtar ka ndryshuar shumë në dy dekadat e fundit. Jo të gjitha këto ndryshime janë në favor të Kosovës. Në çfarë konteksti ndërkombëtar e gjen Kosova veten sot?

Petritsch: Është e vërtetë që Ballkani është kthyer në fushëbetejë gjeopolitike për shumë më shumë protagonistë se sa që ishte rasti, të themi, 20 vite më parë. Një “Luftë e ftohtë” e re duket në horizont, mes Rusisë në një anë dhe SHBA-së dhe Europës në anën tjetër. Kina me shpejtësi po bëhet aktor serioz ekonomik në rajon dhe nuk u përmbahet rregullave europiane. Ndikimi i saj politik nëpërmjet platformës 17+1 është paturpësisht keqdashës. Vetëm shikojeni rastin e Malit të Zi, që më nuk është në gjendje të paguajë borxhin Kinës.

Brukseli duhet t’ia bëjë të qartë Kinës, por edhe Rusisë, edhe investitorëve arabë, por edhe Turqisë, që ka marrë një qasje neo-otomane ndaj Ballkanit, se Ballkani i përket Europës.

Prandaj, pres, dhe kërkoj, nga BE që procesi i anëtarësimit për tërë rajonin të lëviz më shpejt. Shumë nga problemet rajonale do të bëheshin shumë më të lehta për tu zgjidhur nëse BE do të vepronte në mënyrë më të vendosur dhe më të fuqishme.

Por, gjithmonë duhen dy për tango: të ashtu-quajtur Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor (të njohura me akronimin anglisht WB6), që sapo u takuan në Vjenë, duhet të bëhen parter aktivë në implementimin e reformave tanimë të vonuara në të gjitha sferat e jetës – ekonomike, sociale, politike. Të kujtojmë që Europa e pas Luftës së Dytë Botërore filloi të përmirësohej vetëm kur dy armiqtë historik, Gjermania dhe Franca, vendosën të pajtoheshin. Ky model duhet të vlejë edhe për Ballkanin.

Të marrim një shembull: Pandemia e Covid-19 e ka goditur rëndë rajonin. Nevojitet bashkëpunim më i madh në këtë fushë, mes fqinjëve, siç u vendos edhe në takimin e Vjenës më 18 qershor.

Prandaj, edhe Kosova duhet t’u përshtatet rrethanave të reja ndërkombëtare dhe të zbatojë politikë aktive të fqinjësisë dhe të jashtme. Atëherë, jam i bindur, do të ketë progres dhe të ardhme më të mirë./Demokracia.com/

Të ngjashme