Lajme
Petkoviq: Situata e nxehtë politike në Kosovë tregues i qartë për suksesin e Serbisë në Ohër
Demokracia
11:26 | 28 Mars 2023

Share:

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka pretenduar se “situata e nxehtë politike në Kosovë është treguesi më i mirë se sa shumë luftoi Serbia në Ohër”.

Në një paraqitje në televizioni proqeveritar serb “TV Happy”, ai ka deklaruar se “është ushtruar presion ndaj Kosovës që të formojë atë që ka refuzuar me vjet”.

“Në Prishtinë nuk mund të pajtohen me faktin se do të formohet Asociacioni. Kur shikoni se sa dhunshëm po sillen në Prishtinë, kjo është një tregues i qartë se jemi në rrugën e duhur kur është fjala për marrëdhëniet tona ndaj Kosovës, për të ruajtur popullin tonë”, ka pretenduar Petkoviq.

Ai është lavdëruar para publikut të vet duke pretenduar se “duhet aftësi politike, aftësi dhe guxim për të thënë atë që nuk është e pranueshme për popullin serb, dhe nga ana tjetër për të qëndruar në rrugën evropiane”.

“Duhet të tregohemi të urtë dhe të mbrojmë interesat tona kombëtare. Kur arrin të fitosh Asociacionin me të gjitha kompetencat, dhe nuk e shkel Kushtetutën e Serbisë, duhet aftësi dhe guxim të thuash: këto janë vijat tona të kuqe. Jemi kujdesur për çdo fjalë në propozimin evropian. Vuçiq ka thënë qartë se ne jemi shtet sovran dhe se ne nuk do ta njohim de fakto dhe as de jure pavarësinë e Kosovës dhe nuk do ta pranojmë anëtarësimin e saj në OKB”, ka pretenduar Petkoviq.

Ai ka shtuar se opozita në Serbi po bën “njësoj si opozita në Kosovë”.

“Ata kanë thënë se Asociacioni nuk do të thotë asgjë, pyesni njerëzit tanë në Kosovë se çfarë do të thotë Asociacioni për ta. Vetë fakti që në Prishtinë po reagojnë kështu tregon rëndësinë e Asociacionit. Opozita nuk ka politikë, ata dinë vetëm të sulmojnë presidentin tonë Vuçiq. Ashtu si luftoi Vuçiq në Ohër nuk mund ta bënte askush. Bëhet fjalë për mungesën e përgjegjësisë së tyre. Kur panë që asgjë nuk ishte nënshkruar thanë se nënshkrimi nuk është i rëndësishëm. Sigurisht që është i rëndësishëm, prandaj nuk pajtuam të nënshkruajmë asgjë”, ka pretenduar Petkoviq.

Të ngjashme
Lajme • 29 Mars 2024