Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj festimit të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Beograd.
Deputeti shqiptar i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, ka postuar të mërkurën foto të organizimit të mbajtur në Zyrën ndërlidhëse në Beograd.
Petkoviq e ka quajtur këtë si “provokim të pastër të Prishtinës”.
Mediumet serbe e kanë quajtur po ashtu “skandal” e “provokim”.
“Provokim i turpshëm në mes të Beogradit: Festohet pavarësia e shtetit të rremë të Kosovës”, është titulli i mediumeve “Informer” e “Alo”. “Provokim i hapur: Festohet pavarësia e Kosovës në mes të Beogradit”, titullohej artikulli i “Novostit”.