Lajme
Petkoviq: Askush nuk ka kërkuar nga Fondacioni gjerman ta hartojë Statutin e Asociacionit
Demokracia
10:33 | 17 Janar 2023

Share:

“Hartimi i Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është kompetencë ekskluzive e Ekipit Menaxhues për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, siç është përcaktuar saktësisht me marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit në vitin 2013 dhe 2015, kështu që nuk ekziston asnjë bazë apo arsye e vetme ligjore që kjo punë të bëhet nga cilado organizatë joqeveritare, apo ndonjë subjekt tjetër”, ka kumtuar e ashtuquajtura zyre e Petar Petkoviqit, pasi është publikuar nëpër media se Fondacioni “Friedrich Ebert” ka përfunduar me hartimin e statutit.

“Kjo është pa mëdyshje e qartë nga neni B pika 2 e Marrëveshjes me titull “Fushëveprimi dhe mandati i ekipit menaxhues për themelimin e Asociacionit” nga viti 2013, ku thuhet se hartimi i Statutit të Asociacionit është kompetencë ekskluzive e Ekipit Menaxhues. Kjo konfirmohet edhe nga neni 21 i Parimeve të Përgjithshme të vitit 2015, ku thuhet se “Statuti i Asociacionit do të hartohet nga Ekipi Menaxhues dhe do t’i paraqitet dialogut të nivelit të lartë brenda katër muajve… ”, pretendohet në kumtesën e kësaj zyre.

Mediat kanë raportuar se përfaqësuesi i përhershëm i Fondacionit “Friedrich Ebert Stiftung” (FES) në Prishtinë, Rene Schlee, ka thënë se ka përfunduar hartimi i statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe se gjatë kësaj jave do të vendosë se kur do të mbahej prezantimi publik i raportit.

Zyra e Petkoviqit pretendon se përpjekja që çdo organizatë joqeveritare të marrë përsipër përpilimin e draft Statutit të Asociacionit “paraqet një pakuptimësi të drejtpërdrejtë të dialogut dhe shkelje të marrëveshjes që e ka përcaktuar këtë çështje”, transmeton Paparaci.

“Është e qartë se kjo është një përpjekje tjetër për ta paraqitur Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si një lloj organizate joqeveritare, me kompetenca drastikisht më të vogla në krahasim me ato të dakorduara në marrëveshje – ku saktësohet se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të ketë kompetenca ekzekutive për mbrojtjen e të drejtave kolektive të serbëve në Kosovë, për të qenë më të saktë, askush nga Ekipi Menaxhues nuk ka kërkuar shërbimet e organizatës “Friedrich Ebert” për hartimin e Statutit të Asociacionit, sepse kjo punë iu besua ekskluzivisht Ekipit Menaxhues. Në përputhje me mandatin e besuar, Ekipi Menaxhues përfundoi hartimin e Draft Statutit gati 5 vjet më parë, më saktësisht në gusht 2018, dhe zyrtarisht e njoftoi BE-në për këtë “.

Petkoviq ka thënë se “deri më sot, Bashkimi Evropian nuk e ka përmbushur detyrimin e tij dhe ka thirrur një dialog të nivelit të lartë ku Ekipi Menaxhues do të kishte paraqitur Draft Statutin”.

Të ngjashme