Gjatë së shtunës dhe së dielës një numër i madh i pyjeve në Kosovë janë përfshirë nga flakët, ku kanë intervenuar zjarrfikësit, por edhe vetë banorët për t’i vënë nën kontroll flakët.
Këto zjarre dyshohet se po shkaktohen nga pakujdesia e qytetarëve.
Kështu ka deklaruar për lajmi.net Latif Zeka, shef i zjarrfikësve të Kosovës, i cili tha se në rajonin e Prishtinës janë pesë zjarre aktive.
“Nuk dua të them se janë të qëllimshme, por po shkaktohen nga pakujdesia. Janë pesë zjarre aktive në rajonin e Prishtinës. Nuk ka të lënduar”, deklaroi Zeka.
Ndërsa, Ramadan Breznica nga Brigada e Zjarrfikësve e Prishtinës, ka bërë të ditur se vetëm gjatë ditës së sotme kanë pranuar rreth 30 thirrje për shuarjen e zjarreve të ndryshme.
Ai ka shtuar se vetëm në Mat të Prishtinës kanë qenë tri zjarre, kryesisht barishte në male, teksa për një zjarr është raportuar edhe në Grashticë.
“Bëhet fjalë kryesisht për ndezje të barishteve të thata, pastrime të oborreve”, u shpreh ai.