Keni përfunduar me Spanjën, Italinë dhe Greqinë?
Këto vende ofrojnëë peizazhe spektakolare, zona të mrekullueshme bregdetare, qytete antike – dhe çmime të përballueshme.
Mali i Zi
Me Adriatikun në jug dhe vargmalet në veri, Mali i Zi është një destinacion ku mund të kombinoni lehtësisht pushimet në plazh me pushimet më aktive. Plazhet kryesore ndodhen në qytetin mesjetar të Budvës, të rrethuar me mure, i cili ka një vijë bregdetare 22 milje të gjatë me rërë dhe me guralecë. Liqeni i Shkodrës, më i madhi në Europën Jugore, është rreth një orë larg me makinë dhe përbën një destinacion të përsosur për shëtitje me varkë mes zambakëve të ujit dhe pelikanëve dalmat.
Gjiri i Kotorrit, pjesë e listës së UNESCO, i cili ngjan me një fjord dhe është i rrethuar nga malet, nuk duhet humbur nga pushuesit. Rreth brigjeve të gjirit ndodhen disa qytete mesjetare, kisha dhe manastire të shumta. Nga fshati Perast, i ndërtuar në stilin barok, vizitorët mund të shohin ishullin e Zojës së Shkëmbinjve. Në qytetin e Kotorrit, pushuesit mund të shkojnë në kalanë Sveti Ivan, e cila ofron pamje spektakolare.
Më në veri, pamjet përfshijnë mauzoleumin në majë të malit të sundimtarit të shekullit të 19-të, Petar II Petrović-Njegoš; Cetinje, ish-kryeqytetin e vendit; dhe Manastirin e Ostrogut, të ndërtuar në një shkëmb. Parku kombëtar Durmitor, me pyjet, liqenet dhe malet e tij, është destinacioni më i mirë për aventurat në natyrë. Zabljaku, qyteti më i lartë në Ballkan (1,456 metra), është gjithashtu një atraksion që nuk duhet humbur. Vizitorët mund të kalojnë nëpër kanionin Tara, 1.3 km të thellë, nëpërmjet zipline; të bëjnë rafting në lumin Tara; të notojnë në Liqenin e Zi; ose të përballen me ujqërit dhe arinjtë teksa ecin nëpër 25 shtigjet e këtij rajoni.
Kosova
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe mbetet një destinacion turistik kryesisht i pazbuluar për turistët e huaj, të cilët ndoshta vazhdojnë ta lidhin atë me luftën e vitit 1998. Por, sot, Kosova është një vend i sigurt për të udhëtuar, me pak turma turistësh dhe me çmime të ulëta. Kosova, e cila nuk ka dalje në det, përfshin dy fusha kryesore të rrethuara me male, ku 50 prej tyre arrijnë lartësinë mbi 2,000 metra. Kjo nënkupton një mundësi të shkëlqyer për hiking, hipizëm dhe ski. Për shkak të mungesës së detit, më popullore në Kosovë janë “pishinat” natyrore: Ujëvarat e Mirushës kanë kanione, shpella dhe 13 liqene. Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, ofron një jetë nate tepër të gjallëruar, ashtu si dhe qyteti i dytë më i madh i vendit, Prizreni. Kjo vjen pjesërisht falë faktit se ky shtet ballkanik ka popullsinë më të re në Europë – më shumë se 65% e popullsisë është nën moshën 30 vjeç. Këto dy qytete kanë gjithashtu shumë xhami, muze dhe monumente, duke përfshirë muzeun etnografik Emin Gjiku të Prishtinës dhe monumentin Newborn, i cili u vendos për të shënuar pavarësinë e Kosovës dhe pikturohet çdo vit në një stil të ndryshëm.
Destinacionet kryesore të vendit përfshijnë gjithashtu katër manastire dhe kisha që janë pjesë e listës së UNESCO – Deçani, Peja, Graçanica dhe Ljevishi; Rezervatin e Arinjve, ku ndodhen arinjtë e murrmë të shpëtuar nga organizata e bamirësisë Four Paws; dhe Shpella e Gadimes, plot me stalagmite dhe stalaktite të kristalizuara.
Sllovenia
Sllovenia ka një kryeqytet tepër të bukur; male, liqene dhe pyje; verëra të shkëlqyera; dhe madje edhe një vijë të vogël bregdetare. Lubjana, kryeqyteti i vendit, është ndërtuar rreth lumit Ljubljanica, me ndërtesa të stilit barok dhe habsburg përgjatë të dy brigjeve të lumit. Turistët mund të shijojnë një gotë verë në një tarracë buzë lumit, por qyteti ofron gjithashtu një kështjellë në majë të një kodre, galeri arti, teatro dhe muze (ku shfaqet skeleti i vetëm i plotë në Europë i një mamuthi, në Muzeun e Historisë Natyrore), stilin arkitekturor ikonë të shekullit të 20-të nga slloveni Jože Plečnik, si dhe parkun Tivoli.
Në veriperëndim të vendit, atraksionet kryesore janë liqenet spektakolare të Bled dhe Bohinj në Alpet Juliane. Në anën tjetër të maleve, Lugina e Soçës, e cila është më pak e vizituar, ofron mundësi për hiking, rafting dhe kajak në verë, si dhe ski dhe snowboarding në dimër.
Më në jug të vendit, zonat që duhen vizituar përfshijnë shpellat Postojna dhe Škocjan, si dhe Kalanë Predjama, e ndërtuar në një grykë shpelle. Pirani është qyteti kartolinë i bregdetit të Sllovenisë, me arkitekturë italiane që reflekton periudhën e gjatë të sundimit venecian.
Sllovenia lindore është zona e verërave të famshme të vendit – Maribori, qyteti i dytë më i madh, ka vreshtat më të vjetër në botë, dhe është një zgjedhje e mirë për ata që duan të qëndrojnë në një fermë. Ptuj, qyteti më i vjetër në Slloveni, është një destinacion i bukur për një udhëtim ditor.
Bosnja dhe Hercegovina
Si një vend tjetër që lidhet shpesh me luftën e viteve 1990, Bosnja dhe Hercegovina është kthyer në normalitet tashmë. Kryeqyteti, Sarajeva, konsiderohet si një minuaturë e Stambollit ose e Jeruzalemit, me qytetin e tij të vjetër, Baščaršija, i cili është plot me pazare, xhami dhe restorante. Por, historia e kohëve të fundit nuk është harruar: Muzeu Historik dhe Muzeu i Tunelit tregojnë historinë e rrethimit katërvjeçar që i mori jetën 10,000 njerëzve në vitet 1990.
Mostari, në jug të vendit, është i famshëm për Urën e tij të bukur të Vjetër – vizitorët mund të paguajnë për t’u hedhur në lumin që kalon poshtë saj, nëse janë mjaftueshëm të guximshëm për ta bërë këtë. Një tjetër urë më pak turistike (dhe më e gjatë) është Ura Arslanagić në qytetin e bukur të Trebinjes, në jugperëndimin të vendit. Disa qytete të tjera të shquara janë Travnik, ish-kryeqyteti osman, si dhe Jajce, ku ndodhet një ujëvarë spektakolare.
Rafting është një sport tepër popullor që nga marsi deri në tetor; një nga rajonet më të mira për rafting është zona e qytetit të Bihać, në lumin Una. Disa mundësi të tjera për të pasur pushime aktive përfshijnë hiking në parkun kombëtar Sutjeska, kalimin e natës në kasollet që gjenden në male, si dhe shtegun 10-ditor të çiklizmit malor TransDinarica, nga Mostari në Sarajevë. Gjatë dimrit, turistët mund të bëjnë ski në malet Bjelasnica dhe Jahorina, të cilat ndodhen në jug të Sarajevës.
Maqedonia e Veriut
Maqedonia e Veriut, e cila quhet kështu duke filluar që nga viti 2019, është një shtet malor, por me shumë gjelbërim, i cili ndodhet gjithashtu në Ballkan. Megjithëse mund të mos ketë dalje në det, vendi ka shumë liqene, ku më i famshmi është ai i Ohrit, një nga më të vjetrit dhe më të thellët në të gjithë Europën. Liqene të tjera të famshme janë edhe ato të Prespës, të Dojranit, si dhe më shumë se 50 liqene më të vogla akullnajore.
Liqeni i Ohrit, i cili është pjesë e listës së UNESCO-s, është atraksioni kryesor i vendit, i rrethuar nga manastire të lashta, baret e plazhit dhe restorantet që ofrojnë ushqim deti. Disa nga aktivitetet më interesante përfshijnë kurset e gatimit buzë liqenit, e-biking, udhëtimet me varkë dhe paragliding. Qyteti me të njëjtin emër është plot me kisha dhe monumente historike. Përgjatë liqenit ka fshatra piktoreske, ku mbizotëron peshkimi.
Shkupi, kryeqyteti, megjithëse më pak tërheqës, ruan një fortesë të kohës bizantine dhe një qendër të kohës osmane, si dhe ndërtesa më moderne, të tilla si Muzeu i Artit Bashkëkohor. Parku kombëtar i Mavrovës, në një liqen tjetër të vendit, ku ndodhen shumë arinj, ujqër dhe rrëqebuj, ofron mundësi për hiking, çiklizëm, hipizëm dhe not përgjatë verës, si dhe për ski gjatë dimrit. Aty ndodhet gjithashtu manastiri piktoresk i shekullit të 11-të i Sveti Jovan Bigorski. Disa parqe të tjera kombëtare janë Galiçica, e cila gjendet midis liqeneve të Ohrit dhe të Prespës, si dhe Pelister, një mal me dy liqene akullnajore./ The Guardian