Lajme
Pesë të dyshuarit për vepra terroriste dërgohen në Gjykatë
Demokracia
13:46 | 16 Maj 2023

Share:

Pesë të dyshuarit që u arrestuan të hënën, më 15 maj, nën dyshimin për vepra terroriste, të martën janë sjellë në pranga në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se personat e arrestuar dyshohet se kanë kryer vepra terroriste.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 15 maj është kryer një aksion në gjashtë lokacione në rajonin e Pejës, Prishtinës dhe Gjilanit, ku janë arrestuar pesë të dyshuarit.

Ata dyshohen se kanë kryer veprat penale: “Shtytje në kryerjen e veprës terroriste” dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia kishte identifikuar të arrestuarit përmes inicialeve të tyre: L.B., B.V., E.B., A.H. dhe A.S.

Megjithatë, Policia nuk dhanë detaje se kur janë kryer veprat e lartcekura.

Gjatë operacionit, sipas Policisë, janë sekuestruar prova dhe dëshmi që kanë të bëjnë me rastin përfshirë tri revole, një armë automatike e llojit AK-47, një armë rekreative pneumatike, si dhe pajisje elektronike.

Të arrestuarit janë dërguar në ndalim policor prej 48 orësh.

Policia ka thënë, po ashtu, se të arrestuarit edhe më herët kishin qenë të përfshirë në vepra të tjera penale të kryera në rajonin e Pejës.

Të ngjashme