Lajme
Pesë muaj nga sulmi terrorist në Banjskë: Pushteti ushtron presion “bosh” ndaj organeve të drejtësisë; ligji e dokumentet sugjerojnë të kundërtën?
Demokracia
20:48 | 25 Shkurt 2024

Share:

Këtë të shtunë (24 shkurt 2024) u bënë 5 muaj nga sulmi terrorist në Banjskë, ku i vdekur mbeti zyrtari policorë, tash hero i Kosovës Afrim Bunjaku. Në sulmin e 24 shtatorit morën pjesë dhjetëra terrorist, derisa u eliminuan nga Policia e Kosovës 4 prej tyre.

Së fundmi për të gjithë të dyshuarit që morën pjesë në këtë sulm, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës është lëshuar edhe fletarrest ndërkombëtar nga ana e INTERPOL-it.

VV vs Prokuroria Speciale

Derisa rasti i paprecedent i Banjskës cilësohet si njëri ndër sulmet më serioze e më të komplikuara që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë, partia në pushtet ka filluar një fushatë e presion të paparë ndaj Prokurorisë Speciale, për të ngritur aktakuzë për këtë rast. Ndërkohë për raste të tilla Kodi i Procedurës Penale parasheh deri në tri (3) vjet afat kohor deri në ngritjen e aktakuzës, shkruan Nacionale.

Deri tash janë shpalosur qindra prova dhe zbuluar pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në atë sulm. Por, edhe pas gjithë këtyre muajve dhe provave ende nuk ka asnjë aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës për këtë rast.” – thuhet në postimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, krejt diçka tjetër thuhet në Kodin e Procedurës Penale. Aty theksohet se në raste të tilla, sidomos ku kemi të bëjmë me ndihmë juridike ndërkombëtare, afati për të parashtruar aktakuzën zgjatet deri në 3 vjet.

Në nenin 157 ku janë të rregulluara Afatet kohore të hetimit thuhet:

Nëse hetimi është filluar, ai përfundon Brenda dy (2) viteve. Në bazë të kërkesës së prokurorit të shtetit, gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë zgjatjen e hetimit, deri në një vit, kr prokurori dëshmon se hetimi është zhvilluzr në mënyrë active dhe se çdo vonesë është jashtë kontrollit të prokurorit të shtetit.”

Aty madje përmenden specifika të tjera, qe duket se rasti i Banjskës i plotëson secilën nga to.

Prokurori i shtetit gjithashtu duhet të dëshmojë se ekziston ndonjëra nga rrethanat në vijim:

Hetimi konisderohet çështje e ndërlikuar” – A është çështje e ndërlikuar Banjska? Këtë përgjigje duhet t’a japin nga partia në pushtet, të cilët po ushtrojnë presion për të shkruar aktakuzën, sa më shpejt.

Tjetra arsye për zgjatjen e hetimeve (dhe këtu bëhet fjalë, pasi të përfundojnë 2 vjet hetim. Pra kërkesë për t’a shtuar edhe një vit), “është bërë kërkesa për ndihmë juridike ndërkombëtare pa të cilën çështja nuk do të mund të zgjidhej në mënyrë të drejt dhe të plotë

Pra, nga sulmi në Banjskë kanë kaluar 5 muaj. Afati i rregullt i Prokurorisë Speciale për të ngirutar aktakuzë është 2 vjet. Në rastet specifike, të sipërpërmendura mund të shkoj deri në 3 vjet.

Njëri ndër problemet me drejtësinë në Kosovë shpeshherë është identifikuar pikërisht “aktakuzat e mangëta”. Së fundmi një rast që bëri mjaft bujë në medie ishte pikërisht serbi i dyshuar për krime lufte Zllatan Arsiq, i cili lirua nga akuza.

Jo rrallë herë edhe gjatë protestave e krizës në veri të vendit, organet arrestonin e politikanët e pushtetit i reklamonin si kriminelë, njerëz që pas pak kohe liroheshin duke u dëmtuar procesi e lëkundur besimi në institucione.

Sveçla vs Gjykata

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla njoftoi se INTERPOL i ka future në listën e saj personat e dyshuar për sulmin e Banjskës, duke u përkujdesur të mos e përmend fare, se një gjë e tillë u bë me aprovimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, departamentit Special, pasi e njejta u kërkua nga Prokuroria Speciale.

Mirëpres njoftimin zyrtar nga selia qendrore e INTERPOL se tashmë janë insertuar në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar të gjithë personat e dyshuar që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.” – shkroi Sveçla.

Ndërkohë Portali “Demokracia” ka siguruar letërrreshtimin ku Gjykata Themelore në Prishtinë kërkon të gjithë paraushtaraktë terroristë që sulmuan në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar, paraushtarakë këto të cilët janë tashmë të gjithë të kërkuar ndërkombëtarisht edhe nga INTERPOL-i.

Bazuar në faktin se të pandehurit e kërkuar me këtë letër-rreshtim vendor gjenden në arrati dhe nuk ka mundur të sigurohet prezenca e tyre në këtë çështje penale hetimore, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë kërkesë për dhënien e urdhrit për dhënie-lëshimin e letrëave të rreshtimit.” – thuhet ndër të tjera aty.

Ndryshe në dokumentet e siguruar nga Demokracia, vërehet se Prokuroria Speciale, disa herë ka nxjerrë aktvendime për zgjerimin e hetimeve për shumicën nga të dyshuarit për aktin terrorist të Banjskës, çka nënkupton më shumë punë, më shumë materiale, më shumë prova për t’u mbledhur.

Të ngjashme