Lajme
“Përzihet” marrëdhënia e Kosovës me Kenian, në mes hy Serbia: A “prishi” punë postimi i Vjosa Osmanit?
Demokracia
11:52 | 18 Tetor 2023

Share:

Më 18 shtator të këtij viti, në margjina të Samitit të OKB-së, Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, takoi homologun e tij nga Kenia, William Ruto. Në postimin e saj, Osmani shkruante se me Ruton “ka diskutuar thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve” dhe “ndërmarrjen e hapave të përbashkët” për afrimin e dy vendeve dhe popujve të saj. Por në mes ka hyrë Serbia, duke kundër-lobuar. A e “ngatërroi” marrëdhënien mes Kosovës e Kenisë shkrimi i Osmanit?

Në shtatorin që iku, Osmani e kishte takuar Ruton, takim të cilin e kishte bërë public vet komandantja supreme e Kosovës. Madje, ajo kishte shkruar për një frymë miqësore, duke paralajmëruar ndërrmarrjen e hapave të përbashkët, që do t’i afrojnë tutje dy vendet.

“Kënaqësi të takoj Presidentin e Kenias, William Ruto për të diskutuar thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona.

Mezi presim ndërmarrjen e hapave të përbashkët që do t’i afrojnë tutje vendet dhe popujt tanë.” – shkroi ajo.

Në këtë kontekst, mediet kosovare raportonin se Kenia, një vend me mbi 50 milionë banorë, do ta finalizojë njohjen e pavarësisë së Kosovës gjatë viztës që presidentja Osmani “pritet ta zhvillojë në këtë shtet”. Madje, jo vetëm mediet kosovare, por edhe ato të Kenias shkruanin për mundësinë e njohjes së Kosovës nga ky vend afrikan.

“Kenia ka shprehur gatishmërinë e saj për të njohur Kosovën, një shtet separatist në Evropën Juglindore.

Ministri i Jashtëm Alfred Mutua e bëri këtë deklaratë gjatë një konference për shtyp në Nairobi, duke konfirmuar se po zhvillohen diskutime që Kenia ta njohë plotësisht pavarësinë e Kosovës.” – raportonte Kenya Foreign Policy.

Por njohja ende nuk ka ardhur ende, siç ende nuk është zhvilluar vizita e Osmanit në Kenia. Megjithatë, ka një zhvillim të ri në marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Kenias. Në mes të dy vendeve, ka hyrë Serbia.

Më saktësisht, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, është marrë me raportet mes Kosovës dhe Kenias, duke i kërkuar mosnjohjen e shtetit kosovar. Duke folur për lobimin e kosovarëve, Vuçiqi e përmendi Behgjet Pacollin, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, duke theksuar se ai ka një ndikim të madh në përpjekjen për të marrë njohjen nga Kenia.

“Kjo është për shkak të ndikimit të madh të z. Pacolli dhe qëllimit të tyre për të shpallur se Kenia do të njohë Kosovën e pavarur. Dhe besoj se kjo nuk do të ndodhë.” – deklaroi Vuçiqi, transmeton Express.

Nga Kina, ku Vuçiqi mori pjesë në një samit, presidenti serb paralajmëroi edhe një vizitë të Rutos në Serbi.

“Kam pasur një bisedë shumë të gjatë me presidentin Ruto dhe mendoj se jemi kuptuar mirë për çështjen e respektimit të së drejtës ndërkombëtare publike, nuk mund të flasësh kurrë në emër të dikujt tjetër, por përsa na përket neve, mendoj se kemi bërë një punë e mirë dhe e presim së shpejti në Beograd.” – shtoi Vuçiqi.

Në lidhje me deklaratat e Vuçiqit, ka reaguar Jetlir Zyberaj, bashkëpunëtor i afërt i Behgjet Pacollit, që aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës. Zyberaj, që dikur ishte edhe këshilltar i Pacollit në MPJ, i tha Nacionales se “zyrtarët e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm” që mos të shkaktojnë dëme në procesin e njohjes së Kosovës.

“Vuçiq nuk mund të flasë në emër të Kenyas dhe të asnjë shteti tjetër. Megjithatë, zyrtarët e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm dhe të pjekur politikisht që të mos shkaktojnë dëme të tilla në procesin e njohjes së Kosovës.” – deklaroi Zyberaj, transmeton Nacionale.

Kujtojmë që Kenia nga marsi i këtij viti i ka njohur zyrtarisht pasaportat e Kosovës.

Të ngjashme