Lajme
Përveç Zajednicës, ky është kushti tjetër që duhet ta plotësojë Kurti për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës
Demokracia
22:00 | 20 Mars 2024

Share:

Albin Kurti e dha tokën për Manastirin e Deçanit si pazar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Por, pak ditë pasi ua dhuroi priftrinjve serbë 24 hektarë tokë për t’u anëtarësuar në KiE, atij iu paraqitën edhe dy kushte.

Emisari amerikan, Gabriel Escobar, gjatë vizitës në Kosovë tha se përveç pronës për manastirin, Kosova duhet t’i plotësojë edhe dy kushte që janë themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe (ZAJEDNICA) dhe shpronësimi në veri.

“Tani janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, tha Escobar.

Çfarë është kushti i shpronësimeve?

Në janar të vitit 2023, Qeveria e Kosovës pati filluar shpronësimin në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.

Një pjesë të tokës në këto komuna, Qeveria Kurti e kishte shpallur ‘pronë të paluajtshme me interes të veçantë publik, e cila është e nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik’.

Në shkurtin e vitit 2023, Qeveria e Kosovës kishte miratuar vendimin përmes të cilit autorizonte Ministrinë e Mjedisit që të kryente punë përgatitore për të përcaktuar përshtatshmërinë potenciale të një ose më shumë parcelave të patundshmërisë, për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik.

Kjo u shndërrua në temë e re e përplasjeve Qeveri dhe bashkësi ndërkombëtare.

Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, atë kohë paralajmëroi ‘konfrontim me Qeverinë për këtë temë’, duke e quajtur ‘vendim absolutisht të papranueshëm’.

“Po, jemi të vetëdijshëm për një gjë të tillë (vendimin). Kjo është absolutisht e papranueshme. Dhe është një arsye pse kur të shkojë në Kosovë, do të shkojë edhe në veri të Kosovës dhe definitivisht do të flasë edhe me qytetarët e atjeshëm dhe të kuptoj më shumë për çështjen, si dhe më pas të konfrontoj Qeverinë në Prishtinë për situatën në terren. Kjo është një prej detyrave dhe është – do të thoja – një prej shqetësimeve më të mëdha për momentin. Sepse, e shohim që stabiliteti – nëse mund ta quajmë stabilitet në veri – është shumë i brishtë”, deklaroi Von Cramon para afro 10 muajsh.

Për vendimin atëherë reagoi edhe Bashkimi Evropian, i cili kërkoi që procese të tilla të bëheshin me ‘njoftim paraprak dhe informim gjithpërfshirës të pronarëve të pronave”.

Shpronësimet përfshinin fshatrat Dren dhe Leshak, ku parashihej ndërtimi i një stacioni policor kufitar, të cilat BE-ja i quante ‘të ndjeshme për nga natyra’.

“Ndërtimi i katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore – në disa raste para fillimit të procedurave të shpronësimit – ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrë adekuate nga autoritetet. BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës që t’i përmbahen rreptësisht procedurave ligjore në shpronësimin e pronës së paluajtshme, të bëjnë të pamundurën për të siguruar që të ndiqet procesi i rregullt dhe se të drejtat pronësore të pronarëve dhe bartësve të interesit të prekur respektohen plotësisht”, u deklarua Bashkimi Evropian.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktvendime me epilog të ndryshëm në paditë individuale ndaj vendimit preliminar të Qeverisë, të datës 10 Maj 2023, për shpronësim me qëllim të realizimit të “projekteve infrastrukturore me interes publik”, në disa zona në Leposaviq dhe në Zubin Potok.

Në dy raste, gjykata në shkallën e parë aprovoi padinë individuale ose grupore të pronarëve të parcelave, pjesëtarë të komunitetit serb. Aty thuhet se anulohet vendimi preliminar për shpronësim dhe se lënda i kthehet Qeverisë për rishqyrtim dhe vendimmarrje të re.

Në tri raste të tjera, Themelorja hodhi poshtë paditë individuale ose grupore të pronarëve ndaj vendimit të njëjtë të Qeverisë.

Më 10 Maj 2023, Qeveria miratoi vendimin preliminar për shpronësim për interes publik në zonat kadastrale Bistricë, Bistricë e Shalës, Dren, Leshak dhe Koshotovë në Komunën e Leposaviqit, si dhe në komunën e Zubin Potokut, në zonat kadastrale Zubin Potok, Bërnjak, Bregu i Madh, Banjë dhe Jasenovik i Epërm.

Vendimi përfshin rreth 120 parcela, shumica me pronarë nga komuniteti serb dhe një pjesë me pronarë shqiptarë. /Demokracia.com/

Të ngjashme