Lajme
Përveç shkeljeve, DnV-ja e sheh edhe këtë aspekt pozitiv gjatë fushatës zgjedhore
Demokracia
15:23 | 09 Shkurt 2021

Share:

Kanë kaluar gjashtë ditë prej se kur ka filluar fushata zgjedhore e partive politike në Kosovë, për zgjedhjet e 14 shkurtit. Sipas DnV-së përpos shkeljeve, aspekt pozitiv gjatë këtyre ditëve ka qenë edhe ruajtja e ambientit nga partitë politike.

Demokracia në Veprim, organizatë kjo e cila monitoron proceset zgjedhore në Kosovë ka shpalosur të dhënat nga terreni të partive politike gjatë monitorimit të tyre në aspektet e mosrespektimit të masave anti-COVID-19, përfaqësimit gjinor, qasjes së personave me nevoja të veçanta, përdorimi i resurseve publike, gjuhën e urrejtjes dhe shpenzimeve të fushatës, raporton Demokracia.com

Ngadhnjim Halilaj nga DnV në një konferencë për media tha se shqetësues e shohin faktin se partitë politike nuk e kanë respektuar ligjin anti-Covid në 98 aktivitete të monitoruara nga DnV.

“Gjatë monitorimit të aktiviteteve të partive politike kohëve të fundit janë monitoruar aktivitete në shtatë komunat kryesore më të mëdha në vend dhe dy komuna me shumicë serbe.

Në gjashtë ditë fushatë zgjedhore janë monitoruar 98 aktivitete të ndryshme, ku pjesa më e madhe ka qenë tubime publike, por duke mos anashkaluar edhe takime me grupe të shënjestruara apo takime me familje.

Shqetësuese gjatë këtyre monitorimeve të aktiviteteve ka qenë edhe mosrespektimi i masave antiCOVID nga subjektet politike, ku një pjesë e madhe e tyre nuk e kanë respektuar distancën sociale, mbajtjen e maskave në mënyrë të duhur, si dhe tejkalimi i numrit të lejuar të pjesëmarrësve në hapësira të mbyllura dhe ato të hapura”, tha Halilaj, përcjell Demokracia.com.

DnV po ashtu u shpreh e shqetësuar me përfaqësimin gjinor të partive politike, gjatë fushatës.

“Përfaqësimi gjinor mbetet i ulët njësoj si në fushatat e kaluara, ku gratë përbëjnë vetëm 25 për qind të pjesëmarrjes së tyre në aktivitetet zgjedhore të monitoruara, ndërsa në vetëm 27 për qind të aktiviteteve ka pasur gra që i janë adresuar elektoratit. Gjithashtu prezencë të ulët të grave ka pasur edhe nëpër media, në ato media të cilat i ka monitoruar koalicioni DnV, ku në 259 debate televizive, të monitoruara nga 13 janari deri më 7 shkurt 2021 dhe 9 kanale televizive nga 402 kandidatë  të subjekteve politike, vetëm 21 prej tyre kanë qenë gra. Hapësirë e ulët iu është dhënë grave edhe në kronika zgjedhore ku në periudhën 3 deri 7 shkurt 2021, gratë përbënin vetëm 6 për qind. I njejti trend vlen edhe te spotet reklamuese, ku gratë janë prezente në vetëm 17 për qind. Subjektet politike vazhdojnë të mos respektojnë ligjin për barazi gjinore, duke mos iu dhënë grave qasje të barabartë në garën zgjedhore”, pohoi Halilaj, raporton Demokracia.com.

DnV e sheh shqetësues faktin e qasjes së personave me nevoja të veçanta në aktivitete zgjedhore, ku si problem e shohin ofrimin e infrastrukturës për këta persona.

“Tjetër aspekt i fushatës është qasja e personave me aftësi të kufizuara në aktivitete zgjedhore. Nga të gjitha aktivitetet zgjedhore të monitoruara nga DnV, vetëm në 32 për qind të rasteve kanë pasur ofrim të kushteve të infrastrukturës për persona me aftësi të kufizuara. Gjatë kësaj fushate ka pasur edhe shkelje nga subjektet politike-DnV ka evidentuar në mënyrë të vazhdueshme shkeljet nga subjektet politike të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat zgjedhore që obligon subjektet garuese për të njoftuar KQZ për aktivitetet e tyre zgjedhore, 24 orë përpara”, tha Halilaj, përcjell Demokracia.com

Mosnjoftimi i aktiviteteve zgjedhore në këshillin komunal zgjedhor, u shfaq si tjetër shqetësim i kësaj organizate monitoruese të zgjedhjeve dhe përdorimi i resurseve publike shtetërore.

“Nga aktivitetet e vëzhguara dhe nga informatat e marra nga tereni nga vëzhguesit e DnV-së, një pjesë e madh e subjekteve politike nuk i raportojnë këto ngjarje në këshillat komunal zgjedhor. Mosnjoftimi i aktiviteteve zgjedhore është evidentuar në 32 për qind të rasteve të monitoruara. Për këtë arsye DnV ka dërguar 3 ankesa pranë PZAP-së duke kërkuar që të ndërmerren masat e duhura. Një aspekt tjetër i fushatës është përdorimi i resurseve publike, i cili është i rregulluar me ligj për të garantuar një garë të barabartë në mes të subjekteve politike dhe mbi të gjitha për të parandaluar keqpërdorimin e shfrytëzimit të resurseve publike shtetërore. Ky fenomen është evidentuar në më pak raste në të kaluarën. Për gjashtë ditë fushatë DnV ka evidentuar pjesëmarrje të shërbyesve civilë në 7 aktivitete të monitoruara, prej tyre  dy aktivitete kanë qenë të LDK-së, dy të AAK-së, dy të PDK-së dhe një aktivitet i Nismës Socialdemokrate. Ndërsa veturat zyrtare janë përdorur në pesë aktivitete të monitoruara, përkatësisht në katër aktivitete të organizuara nga LDK dhe një aktivitet të LVV-së”.

DnV ka folur edhe për përmbajtjen e fushatave zgjedhore, të cilat kanë qenë zhvillimi ekonomik, bujqësia, punësimi, sigurimet shëndetësore, arsimi, pensionet dhe mirëqenia.

DnV ka evidentuar edhe publikimin edhe në platformat online të programeve elektorale të partive politike.

“Gjuha e urrejtjes, e cila është vërejtur në 15 për qind të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara, është vënë re në katër aktivitete të LDK-së, katër të PDK-së, dy të AAK-së dhe dy të Nismës e VV-së”, ka thënë Ngadhnjim Halilaj nga DnV.

Një aspekt tjetër shqetësues gjatë fushatës i hasur nga DnV ishte edhe kostoja e fushatës, ku prej 28 partive politike, vetëm tri prej tyre kanë bërë të ditur shpenzimet e fushatës.

“Nga të gjitha kërkesat e DnV-së drejtuar partive lidhur me shpenzimet e fushatës, ata kanë marrë vetëm tri përgjigje nga tri subjekte politike, të cilat janë: LVV, Partia Turke Demokratike e Kosovës dhe Partia Fjala. Subjektet tjera nuk janë përgjigjur”, tha Florent Spahija nga DnV.

Aspekt pozitiv të fushatës DnV e ka konsideruar ruajtjen e ambientit nga partitë politike, duke mos bërë vënien e posterave në ambientet e jashtme.

“Frymë e mirë gjatë këtyre ditëve ka qenë mosvënia e posterave në ambiente të jashtme, duke e ruajtur kështu edhe mjedisin, edhe pse në ditët e fundit mund të ndryshojë kjo gjendje”, tha Spahija.

DnV u bën thirrje të gjitha partive politike që t’i lajmërojnë të gjitha tubimet, ashtu siç kërkohet me ligj dhe me rregullore zgjedhore. Po ashtu DnV bën thirrje për respekitim të masave antiCOVID, gjatë fushatës dhe heqjen e spoteve publicitare që përmbajnë gjuhë të urrejtjes./Demokracia

Të ngjashme