Lajme
Personat me nevoja të veçanta të harruar nga qeveria, thonë se e mendojnë edhe më të keqen
Demokracia
11:13 | 30 Qershor 2024

Share:

Personat me nevoja të veçanta sa herë që dalin në Prishtinë e kanë të vështirë lëvizjen, për shkak të mungesës së rrugëve të posaçme për këta persona. Vështirësi hasin edhe në trotuaret e bllokuara nga veturat.

Personat me nevoja të veçanta konsiderojnë se janë të neglizhuar nga shtetit, ndërsa thonë se ka raste kur e mendojnë edhe më të keqen. E pensionin që e marrin nga shteti thonë se është i vogël krahasuar me nevojat që i kanë.

Drejtori i HANDIKOS-it në komunën e Prishtinës, Faruk Kukaj, thotë për Ekonomia Online se gjysmën e pensionit e japin për asistentë, ndërsa shuma tjetër shkon për nevojat të tyre ditore.

“Jetoj në Prishtinë. Para lufte ka qenë bukur vështirë lëvizja e personave me përdorues të karrocës, ku nuk ka pasur as rrugë as trotuare; ka qenë vendi për trotuare e kanë zënë veturat. Por edhe objektet publike nuk ka pasur qasje, ke mundur me gishta me i numëru”.

“Pas luftës mund të them se ka pasur diçka lëvizje për të mirë, por shumë pak. Në institucionet publike apo shëndetësore vonë kanë filluar me i rregulluar rampat, diku në disa shkolla, por jo në të gjitha. Është një progres, por shumë i vogël. Këtu jam rritur dhe jam duke e plakur. Më duhet të lëviz në rrugë, zakonisht janë të zëna trotuaret me vetura. Por qasje nëpër trotuare ka vetëm në qytet ndërsa më larg nuk ka, shumë pak ka qasje”, thotë Kukaj.

Përveç kësaj, Kukaj thotë se nuk kanë qasje as në tualetet e krijuara për ta për shkak se janë shndërruar në depo.

“Edhe atje ku i kanë përshtat tualetet më vonë i kanë shndërruar në depo, e kanë pamundësuar qasjen nëpër tualete. Ne jemi shumë larg standardit evropian apo qasjes të plotë të qytetit për personat përdorues të karrocës. Pensionet kur është hyrë në vendim dhe është implementuar ka qenë e mirë tani ka stagnuar dhe ka mbetur aty. Për mua është një nevojë vetëm në tërësi. Ne përdoruesit e karrocës kemi edhe nevoja të tjera shëndetësore, por ka edhe nevoja të tjera të shërbimit ditor, madje edhe për asistim personal”, u shpreh ai.

Ai ka folur edhe për pagesën pensionale, të cilën e quan qesharake krahasuar me shpenzimet për nevojat ditore.

“Asistenti personal është i llogaritur në pagesën pensionale por është tmerr me tregu shumën. Një asistent personal duhet t’i japësh 150 euro, kush vjen me të ndihmuar me t’i kryer shërbimet ditore me këtë shumë në muaj. 300 euro është pensioni, 150 euro i marr unë dhe 150 euro asistenti. Çka janë 150 euro pension në muaj këto janë absolutisht qesharake. Për shtetin kemi pasur shumë herë kërkesa, le të mendojnë që edhe ne jemi pjesë e shoqërisë së Kosovës, nuk jemi alienë apo si dikush i ardhur prej tjetër planet”, tregoi Kukaj.

Ai kërkon nga Qeveria që të mendojnë më shumë për këta persona për të pasur qasje më të lehtë si të gjithë qytetarët e tjerë.

“Edhe ne i kemi të drejtat e barabarta që janë të pranuar edhe të njoftuar me deklaratën të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut. Le të mendojnë më shumë dhe më tepër për neve. Të kemi qasje fizike si në transport publik, në shëndetësi por edhe në punësim. Është e kot që thonë kërkojnë punëtor për një person me aftësi të kufizuar kur për shembull ato kompani e kanë në katin e katër, dhe nuk ke si të shkosh deri lart”, përfundoi ai.

Ndërsa drejtoresha e Komitetit të Grave të Verbëra, Bajrumshahe Jetullahu, ka thënë se janë të diskriminuar dhe se shteti nuk po ofron asnjë kusht për ta.

Sipas saj, pension ka mjaftueshëm për ta blerë “një konop me vu një guri dhe me mbyt veten në Badovc”

“Kushte jo që nuk ofrohen fare, por as që po interesohet kush për jetën dhe kushtet për diskriminimet tona… Çdo gjë që ka të bëjë me personat me nevoja të veçanta është diskriminuese. Qoftë punësimi, qoftë arsimimi, kondensim çdo gjë në jetë tek ne është zero. Pension ka mjaftueshëm sa me e ‘ble një konop me vu një guri në qafë dhe me shku në Badoc’. Me 125 euro pa marrë parasysh cili mundet me jetu nga autoritet me atë pagesë, qoftë vetëm për veti atëherë unë jam gjendje me ia fal 125 euro. Vetëm kafja e mëngjesit iu kushton aq”, u shpreh ajo.

Pensioni i personave të verbër është 250 euro, ku 125 prej tyre duhet ta paguaj asistentët personal për ta ndihmuar.

“Janë të parapara pllakat taktike në qytet, po edhe ato që janë tek mensa e studentëve janë pllaka të cilat të ndihmojnë personit të verbër me dal drejt në semafor edhe me ardhë ndonjë veturë dhe me zhduk nga faqja e dheut. Për shtetin na kanë humbur edhe mesazhet se çdoherë dërgojmë kërkesa, lutje por hasim në vesh të shurdhër. Po jetojmë ashtu deri kur të shkon kështu, për neve nuk ka shtet, nuk ka njerëz që mendojnë për këtë kategori. Me të dhënat e tona dhe dëshirat e tyre ne nuk ekzistojmë”, përfundoi ajo.

Të ngjashme