Personat me aftësi të kufizuara në Shtëpinë e Komunitetit në Shtime, 13 sa janë rezidentë, po presin ndihmë nga institucionet e tjera të Kosovës, që shërbimet e tyre t’i marrin në mënyrë më efikase. Vetura me të cilën kjo shtëpi i dërgon ata te mjeku tashmë është e shkatërruar dhe e papërdorshme.
Menaxheri i kësaj shtëpie, Gëzim Gashi, ka adresuar kërkesë për veturë te disa ministri të Qeverisë së Kosovës, me shpresë se do t’i përgjigjen, por deri më tani s’ka marrë asnjë sinjal pozitiv.
Demokracia.com e ka siguruar kërkesën e Gashit, ku sqaron se vetura i duhet si mjet pune, pasi rezidentët kërkojnë shërbime 24 orë.
“Shtëpia e komunitetit për persona me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike në Shtime i ka të strehuar 13 rezidentë me qëndrim të përhershëm dhe ofron shërbime 24 orë me shërbime sociale, shëndetësore shërbim që ka nevojë këta klientë, si dhe një staf të punëtorëve prej 10 personave. Shërbimet shëndetësore specialistike për klientë i kryejmë nëpër qendra spitalore rajonale apo në QKUK Prishtinë. Që të kryen këto shërbime në mënyrë të rregullt na duhet që të kemi një automjet në gjendje të rregullt dhe që të jetë i gatshëm në çdo kohë të rasteve. Deri më tani kemi pasur një automjet për këto shërbime, por tani është jashtë funksionit”, thuhet në kërkesën e drejtuar këtyre institucioneve, raporton Demokracia.com.
Gashi ka treguar në detaje për Demokracia.com për problemet me të cilat ballafaqohen në këtë shtëpi. Një veturë, sipas tij, do t’ia lehtësonte punën të gjithë stafit.
“Po e kemi problem sidomos për nevojat që ne i kemi në aspektin shëndetësor dhe sociale. Ne na duhet një veturë e përditshme se kontrollet specialistike çka i kryen Qendra e Mjekësisë Familjare nuk mundet me na ndihmuar, QKM-ja në Shtime mundet me na lënë, por jo edhe me na prit në spitalin rajonal dhe nuk mundet me na prit kah 2 orë, këto vështirësi i kemi”, ka thënë Gashi.
Ai ka treguar se e kanë një veturë, por që tashmë është jashtë përdorimit dhe nuk i funksionon motori dhe as sistemi i frenimit.
“Ne për këtë po kemi nevojë, deri më tani e kemi pasur një automjet, por tani është jashtë funksionit. Ne e kemi pasur edhe në servis (te mekaniku), por ata na kanë thënë se ky automjet nuk është për rrugë, sepse sistemi i frenimit dhe motori është jashtë funksionit”, tha tutje ai.
Gashi ka shtuar se komuna nuk ka buxhet për blerjen e veturës së re, por sipas tij nuk kanë mundësi të presin deri në vitin 2023.
“Në komunë e kemi marr një veturë, por edhe me veturë të punëtorëve këtu i dërgojmë, sepse edhe komuna nuk ka vetura, rrallë ndonjëherë kanë mundur me na ndihmu. Jo që nuk duan, por nuk kanë mundësi. Me vetura tona i kemi kryer nevojat tona. Buxhet nuk ka komuna këtu, është problemi jo veç i buxhetit, si me prit ne deri pas vitit të ri të vitit 2023, këtu është problemi. Tenderi nuk shpallet dhe mund të ndodh të shpallet në gusht ose shtator të vitit tjetër, si janë planet e prokurimit”, tha Gashi.
Atij nuk ia kanë shkëputur shpresat se mund t’ia gjejnë një veturë që t’iu shërbejë rezidentëve, por duhet të pres procedurat burokratike.
“Kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Ministrinë e Drejtësisë, EULEX, OSBE, tani po presim përgjigje. Ministria e Drejtësisë ka kërkuar një kërkesë me bë të Ministria e Shëndetësisë, d.m.th është institucioni për konfiskimin e pasurisë në Ministrinë e Drejtësisë për konfiskimin e veturave dhe na thanë me shiku përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe këta të fundit me e bërë një kërkesë. Ne, si të na jepet mundësia, si ta konfiskojmë një veturë me shiku dhe prapë nuk është e sigurt nëse mundet me na dhanë neve. Jo nuk kanë kthyer përgjigje, sërish iu kam rikujtuar e-mailet, por nuk më kanë kthyer përgjigje”, tha Gashi.
Demokracia.com ka provuar ta marrë një qëndrim edhe të kryetarit të Shtimes, Qemajl Aliut, por i njëjti nuk është përgjigjur.