OpEd
Përse Berisha dhe Meta janë mbështetësit më të mëdhenj të Albin Kurtit?
Demokracia
10:16 | 12 Qershor 2023

Share:

Shkruan: Mero Baze

Pak më shumë se dhjetë vite më parë, ndërsa kisha një emision ditor televiziv, kisha të ftuar Albin Kurtin. Para emisionit ndërsa u takuam e pyeta për kuriozitet, përse e kishte mbështetur një marrëzi të Berishës rreth sloganit “një komb, një pasaportë”, dhe disa teza izolacioniste të tij rreth “albanofibisë” në Evropë, që Berisha i bënte sa herë ndodhej në krizë me perëndimin. Mos gaboj, Kurti e kishte mbështetur Berishën për këtë në një intervistë me Rudina Xhungën.

-Kam taktizuar, tha. Unë nuk e dua Berishën, dhe kur të huajt e shikojnë që e mbështes dhe unë, e luftojnë dhe më shumë, pasi mua nuk më duan të huajt.

Ishte një detaj që tregonte shumë për metodat ilegale të luftës së tij politike dhe pandershmërinë në qëndrimet publike.

Tani po shikoj Sali Berishën dhe Ilir Metën që po mbështesin Albin Kurtin dhe kam në majë të gjuhës të njëjtën pyetje për ta, por nuk kam ku t’i gjej. Edhe pse nuk janë aq të sinqertë sa A
Albini që të ma japin atë shpjegim, besoj se është pak a shumë ashtu.

Mbështetja që Sali Berisha dhe Ilir Meta po i japin akteve dhe qëndrimeve antiperëndimore të qeverisë së Albin Kurtit, nuk kanë të bëjnë me ndonjë aleancë ideologjike mes tyre, por me përpjekjen e dy udhëheqësve antiperëndimorë në opozitë në Shqipëri, për të eksperimentuar se si mund të funksionojë një qeveri antperëndimrore në botën shqiptare.

Albin Kurti për ta është antiperëndimori në pushtet, çka është në të vërtet makthi i tyre. Gjithë problemin që ata kanë në debatin politik në Shqipëri, është se nuk vijnë në pushtet dot se kanë kundër SHBA dhe Bashkimin Evropian.

Në këtë rast Albin Kurti është shpëtimi i tyre, është modeli i suksesit, pasi është një antiperëndimor në pushtet. Dhe jo vetëm që është argument që edhe një antiamerikan fjala vjen mund të vij në pushtet në tokat shqiptare, por dhe mund ti shpallë luftë SHBA dhe duke qenë në pushtet.

Është kjo arsyeja që Berisha dhe Meta janë angazhuar tërësisht në krah të marrëzisë së Albin Kurtit, duke e konsideruar atë patriotizëm të vërtetë, dhe duke sulmuar qeverinë e Shqipërisë pse është në një vijë me qëndrimin e SHBA dhe BE kundër Kurtit.

Në fakt Edi Rama, por sidomos socialistët shqiptarë kanë pasur një adhurim për Kurtin dhe lëvizjen e tij majtiste, pasi është në origjinë të partisë së tyre.

E di sa e vështirë ka qenë t’ua kritikoje Kurtin vite më parë dhe sa reagime negative kishte brenda tyre.
Demokratët e Berishës nuk e kanë dashur kurrë. Berisha jo e jo. E ka përdorur atë dhe Demaçin vetëm në disa momente që i janë dashur kundër Rugovës.

Dashuria e tanishme e tyre, nuk ka lidhje me ndonjë qasje ideologjike, apo aq më keq patriotike. E gjithë vëmendja dhe dashuria e Sali Berishës dhe Ilir Metës ndaj Albin Kurtit, është se ata shikojnë tek ai rezistencën kundër SHBA, shpresën e fundit për të ardhmen e tyre në politikë.

Dhe mbështetësit më të zjarrt të Albinit në Shqipëri e çmojnë pikërisht për këtë, për t’i dhënë perspektivë një force antiamerikane dhe antiperëndimore në Shqipëri si model suksesi.

Kjo është e vetmja arsye për të cilën ata janë rreshtuar pro Albin Kurtit kundër Perëndimit. Dhe më kujtohet gjithnjë ai momenti kur Albini më pat shpjeguar pse e mbështeste Berishën.

Të ngjashme