Lajme
Përplasjet përbrenda partisë, Kica-Xhelili thotë se janë tri grupe që po e sulmojnë LDK-në
Demokracia
19:08 | 01 Prill 2025

Share:

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas publikimit të bisedave në Viber ndërmjet anëtarëve të LDK’së, ku kërkohej shqyrtim të votave me postë nën dyshimin për manipulim.

Kica Xhelili ka pretenduar se LDK’në po e sulmojnë tri grupe, duke përfshirë këtu VV-në, PDK-në dhe disa në LDK.

“Grupi i parë, është grupi ZdraVVo. Grupi që pas kapelave të Nagip Krasniqit fsheh kokën e tij, por jo edhe mendimet e Dejona Mihalit (tjerët nuk kanë mendim, vetëm amplifikojnë atë që e mendon ajo). Këtyre sot nuk i konvenon LDK e betonuar kundër tyre. Prandaj, këta që kanë perfeksionuar për vete skemat e mafisë energjetike nëpër grupe të Whatsappit, e kanë hak partinë që ua shpërfaqi gjithë skemat korruptive”, ka thënë ndër të tjera ajo.

“Grupi i dytë, është grupi PDK f.m. stereo. Grupi që me eksponentët e saj “analitik”, si një radio e stërvjetëruar, të shpërndarë nëpër emisione trumpetojnë se paskan mbështetur LDK-në, por se LDK qenka sot “e paguximshme dhe bllokuese”. Këta e kanë mbështetur rrejshëm një LDK me qëllimin që të bëhet levë e PDK-së, duke menduar që kështu e legjitimojnë presionin e tyre të mëvonshëm mbi LDK-në. Ju thash pra: të stërvjetëruar”.

“Grupi i tretë është më vështirë i identifikueshëm. Është zhurma e sulmeve që refuzon reformën në LDK. Me reformë nuk e mendoj ndryshimin gjeneracional, asnjëherë, por ndryshimin e mendësisë. Ndoshta nuk i konvenon kryetari; ndoshta nuk i konvenon LDK e qëndrimeve parimore, nuk e di.. por në një formë a tjetrën, bashkëshërbejnë në misionin e dy grupeve paraprake”, shton tutje Kica-Xhelili.

 

Të ngjashme