Lajme
Përplasjet mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj/ Mbrëmë u vra një tjetër person- Si nisi hakmarrja për 10 mijë lekë të vjetra karburant?
Demokracia
19:22 | 03 Dhjetor 2023

Share:

Vendi u trondit mbrëmjen e djeshmë nga një atentat me armë zjarri në Lezhë, ku mbeti i vrarë 40-vjeçari Entjan Nikulaj. Nga dinamika e ngjarjes zbulohet se ekzekutimi i tij ka qenë i mirëorganizuar dhe autorët kanë ndjekur të njëjtën skemë për të humbur gjurmët, djegien e çdo prove që mund të zbulojë ata.

Pista kryesore e hetimit është gjakmarja, pasi kjo ngjarje i është shtuar një zinxhiri atentatesh të ndodhura ndër vite mes dy fiseve në Lezhë, Nikulajve dhe Lekstakajve.

Entjan rezulton kushëriri i Ardian Nikulajt, ky i fundit u vra brenda lokalit të tij në Shëngjin më 19 prill të këtij viti. Ardiani u ekzekutua nga portugezi Ruben Saraiva pasi u financua dhe u porosit nga Edmond Haxhia i cili ishte kthyer nga Britania, aty ku jetonte. Haxhia është kushëri i Lekstakajve, konkretisht djali i dajës së Elton Lekstakaj.

Por si nisi konflikti mes fiseve?

Fisi Lekstakaj dhe fisi Nikulaj ishin në gjakmarrje që prej vitit 1996. Historia e përplasjes mes fiseve në fjalë, ka nisur që para 27 viteve, në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës për 10 mijë lekë të vjetra.

Asokohe, vëllai i Ardian Nikulaj bashkë me një person tjetër ishin shitës në karburantin në fjalë dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën dhe pas kësaj, shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën prej 10 mijë lekësh të vjetra të furnizimit me karburant.

Në debat e sipër, drejtuesi i mjetit është larguar për pak çaste, duke u rikthyer në karburant i armatosur dhe ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve duke i lënë të vdekur në vend mes të cilëve dhe vëllain e Ardian Nikulaj.

Kjo ngjarje ishte dhe zanafilla e hasmërisë së fiseve Lekstakaj dhe Nikulaj, e cila pas disa muajsh të po atij viti, do të vijonte me vrasjen e Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja, ky i fundit nip i familjes. Ndërkohë në vitin 1999 u vra Gjovalin Lekstakaj dhe u plagos rëndë Pjetër Lekstakaj.

Të ngjashme